Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Prioritetet e kandidateve gra që garojnë për Asamblenë e Klinës 

Kandidatet gra për asambliste në Kuvendin Komunal të Klinës në Debat Pernime kanë treguar prioritetet e tyre qeverisëse nëse sigurojnë mandat nga zgjedhjet lokale.

Kandidatja për asambliste nga AAK, Fatjona Gashi tregoi për çështjet që do t’i adresojë në Kuvendin Komunal.

“Do të punoj që të shtrihet rrjeti i ujësjellësit në Klinë, fuqizimi i gruas dhe vajzave në sektorin e arsimit dhe ekonomisë, investime në sektorin e arsimit, mbështetje për biznese të vogla, përkrahje për të gjithë ata që kanë ide për hapje të bizneseve të reja, do të bëj kërkesë që të zbritet çmimi i biletës së udhëtimit për nxënësit”, theksoi ajo.

Ndërkaq, Marigona Racaj nga LDK i përmendi disa probleme që ajo thotë se i ka hasur në vendbanime.

“Kam identifikuar shumë probleme gjatë intervistimit të qytetarëve, kam hasur në disa probleme, me ujë të pijes dhe ndërprerja e ujit të pijes në muajt qershor, korrik dhe gusht, nuk ka ujë as për higjienë gjatë kohës së pandemisë. Nxënësit janë të detyruar të bartin ujë me vete. Ka mungesë të barnave esenciale e higjiena në sektorin e shëndetësisë në Klinë nuk është në nivel”, tha ajo.

Kandidatja tjetër për asambliste të Klinës, Mendehie Duraku nga PDK tha se do të përfaqësojë qytetarët pavarësisht origjinës partiake.

“Do të ngris shqetësime për ujin e pijes, avancimin e gruas në shoqëri, përfaqësim të barabartë në sektorin publik, trajtimin e ujërave të zeza, çështjen e hapësirave publike, parkingjeve, transparencën dhe llogaridhënien”, tha ajo.

Ndërkaq, Teuta Mulaj nga LVV tha se do të orientohet për kontribut në arsim.

“Do të angazhohem në depolitizimin e arsimit në komunë, duke siguruar kuadro të mirëfillta në bazë të meritokracisë, shujtë falas për nivelin parafillor e deri në klasën e nëntë, ndarja e 10 bursave për studentët e dalluar prej 1 mijë euro, 6 për vajza dhe 4 për djem”, tha mes tjerash ajo.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Klinës, diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët për kryetar të komunës së Klinës; Besim Hoti nga LDK; Esat Raci nga PDK; Lulzim Dragidella nga LVV; Zenun Elezaj nga AAK.

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Klinës: Fatjona Gashi nga AAK; Marigona Racaj nga LDK; Mendehie Duraku nga PDK; Teuta Mulaj nga LVV.