Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Prioritetet e kandidateve gra për Kuvendin Komunal të Vushtrrisë (VIDEO)

Kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Vushtrrisë në Debat Pernime kanë shpalosur prioritet e tyre nëse arrijnë të marrin mandat.

Disa prej premtimeve të tyre kanë të bëjnë më fushat si arsimi, shëndetësi, kultura e të tjera.

Ardita Hasani nga Nisma Socialdemokrate ka thënë se do të angazhohet për avancimin e grave.

“Unë si asambliste e ardhshme tentoj të jem zëri i gruas dhe vajzës në qytetin tonë, duke tentuar që t’i kthej dinjitetin gruas”, u shpreh ajo do të shtuar në fokus do t’i ketë edhe të rinjtë”, tha ajo.

Sipas Hasanit edhe mungesa e ujit të pijes është problem në Vushtrri.

Edhe bashkëpartikja e saj, Shqiponjë Mikushnica nga Nisma Socialdemokrate, kandidate për asambliste tha se angazhimet e saj do të jenë në fushën e arsimit si dhe përfaqësimin e grave në vendimmarrje.

“Për gratë lehohna, të kenë këshilla apo pedagogë. Për rini që të ketë hapësirë për kreativitet dhe t’i shpalosin në komunën tonë”, theksoi ajo.

Kurse, kandidatja për asambliste nga AAK-ja Amire Ajeti tha se do të fokusohet për ndihmën ndaj të rinjve.

“Unë si e re angazhimin tim do ta fokusoj kryesisht në rini, do të inicioj shumë punë duke filluar që nga hapja e vendeve të reja të punës, por e kam fjalën për punë të sinqerta, pa lidhje familjare, pa lidhje politike, gjaku apo njoftësie, pra punësime të barabarta për të gjithë të rinjtë”, tha ajo.

Ajeti shtoi se do të punojë për të ndaluar dhunën në shkolla.

“Një gjë ua premtoj bashkëbvendasve të mi; punën time do ta punoj gjithmonë me përgjegjësi të plotë, asnjëherë nuk do të punoj me privilegj”, u zotua ajo.

Kandidatja tjetër nga AAK-ja, për asmblenë e Vushtrrisë, Floriana Sadiku tha se ka qëllim kryesor që qytetit “unik” t’i kthehet zhvillimi i kulturës dhe artizanaleve.

“Do të punoj me përkushtimin tim më të madh për avancimin e pozitës së gruas në shoqëri dhe njëherësh të përkrahi iniciativat rinore e njëherësh edhe mirëqenien sociale”, theksoi ajo.

Sadiku tutje tha se “do ta shfrytëzojë edhe familjen time intelektuale  që po ashtu kemi një fuqi më të madhe në komunitet”, u shpreh ajo.

Kurse, kandidatja për asambliste nga radhët e LVV-së, Bahrie Ademaj – Murati theksoi se i takon fushës së shëndetësisë.

Ajo shtoi se krahas kësaj duhet shtyrë politikat që lidhen me cilësinë në shëndetësi.

“Edhe pse kjo është fushë që ndërlidhet me politikat nacionale e të cilat pastaj zbatohen në nivel lokal, duhet të ketë një zingjir të llogaridhënies  për punën që bëhet në institucionet shëndetësore”, tha ajo.

Ndërsa, bashkëpartiakja e saj nga LVV, kandidatja tjetër për asambliste, Gresa Muli theksoi se qytetarët e dinë mënyrën se si i ka prezantuar ata, pasi ka qenë anëtare e Asamblesë.

Ajo tha se Kuvendi Komunal është vendi ku duhet bërë punë e përbashkët dhe jo individuale.

“Zotohem që asnjëherë nuk do të bëhem makinë e votimit për vendimet që janë në dëm të qytetarëve, do të jem zëri i tyre. Do të jem gardiania e pronave publike dhe monumenteve kulturore. Do të angazhohem edhe për studentët dhe gratë”, tha ajo.

Ademaj – Murati shtoi se duhen krijuar masa shtesë për parandalimin e përdorimit të substancave narkotike nga të rinjtë.

Kandidatja tjetër për asmbliste të Vushtrrisë, nga LDK-ja Gonxhe Halili potencoi se do të angazhohet në përkrahjen sa më të madhe të rinisë dhe punësimin e tyre.

“I premtoj rinisë se do të mbahen start-up dhe grante për nxënësit dhe studentët e Vushtrrisë me idetë më inovative që do të shërbejnë për qytetin vushtrrias në të mirën e të gjithë qytetarëve”, tha mes tjerash ajo.

Kolegia e saj nga LDK-ja, kandidatja për asambliste Kaltrina Haziri tha se prioritet do ta ketë punësimin e grave.

“Unë aty do të jem zëri i tyre, do të jem për to çdo herë kur ato kanë nevojë. Ne jemi një qytet i vogël dhe njihemi, do të bëjë angazhim që gratë do t’i subvencionoj duke i orientuar në komunë ose në Qeveri”, tha ajo.

Në anën tjetër, Melihate Basholli-Latifi nga PDK-ja tha se do të vazhdojë t’i mbrojë interesat e qytetarëve, pa dallim.

“Do të jem zëri i tyre deri në realizmin e kërkesave. Si punëtore e arsimit, unë do të angazhohem në këtë mandat veçanërisht për arsimin dhe do të synojë që procesi mësimor të zhvillohet në hap me kohën dhe të kompensohet mësimi, si edhe garat dhe kuizet”, tha ajo.

Basholli-Latifi shtoi se do të kujdeset që qeverisja komunale të ketë 50 për qind gra.

Edhe Nurije Halili nga PDK-ja, si kandidate tha se do ta ketë prioritet avancimin e grave në shoqëri.

“Arsimi i vajzave dhe grave është fusha që do ta mbështesë. Do të kemi mundësi të barabarta për të gjitha”, tha ajo, duke shtuar se do të angazhohet në status më të mirë të vajzave me mbulesa.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Vushtrrisë diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët për kryetar të komunës së Vushtrrisë: Albert Maxhuni nga Nisma Socialdemokrate; Arsim Rexhepi nga LVV; Ergin Sunguri nga KDTP; Ferit Idrizi nga PDK; Jeton Salihu – kandidat i pavarur; Mensut Ademi nga AAK dhe Xhafer Tahiri nga LDK. 

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Vushtrrisë: Ardita Hasani dhe Shqiponjë Mikushnica nga Nisma Socialdemokrate; Amire Ajeti dhe Florina Sadiku nga AAK; Bahrie Ademaj dhe Gresa Muli nga LVV; Gonxhe Halili dhe Kaltrina Haziri LDK; Melihate Basholli Latifi dhe Nurije Halili nga PDK.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.