Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Prioritetet e kandidateve gra për Asamblenë e Hanit të Elezit

Në Debat Pernime kandidatet për asambliste në Komunën e Hanit të Elezit kanë prezantuar prioritetet e tyre në qeverisje në arrijnë të sigurojnë mandate.

Kandidatja nga LVV-ja, Natyra Kalisi ka thënë se do të ketë prioritete qe lidhen me çështjet e rinisë, studentëve, grave dhe vajzave.

“Ne si të rinj në komunën tonë kemi nevojë për aktivitete rinore sepse mungojnë shumë, dhe për rritjen e bursave. Të ngrisim kënde të lojërave për grupmoshat e reja. Do të avokojë fuqishëm që gratë të kenë pozita vendimmarrëse në komunë”, tha ajo.

Kurse, Nora Xhoni kandidate nga radhët e AAK-së thotë se ky është rrugëtimi i tretë i saj drejt Asamblesë.

Ajo shtoi se prioritet ka mbështetjen e të rinjve në veprimtari kulturore, sportive, arsim e shëndetësi.

“Gjithashtu mbështetja për fëmijët me nevoja të veçanta dhe atyre pa prindër. Sensibilizimi i të rinjve për hapjen e OJQ-ve si dhe formimin e Shoqatës së Gruas në komunën e Hanit të Elezit”, tha ajo.

Ndërkaq, nga PDK-ja kandidatja për asambliste Sara Berisha ka theksuar se prioritetet e tyre dallojnë prej atyre të partive tjera.

“Ne do të bëjmë ndryshim tek punësimi i grave në komunë, përpjekje të vazhdueshme për krijimin e mundësive të barabarta për gruan, mbështetja dhe përkrahja e afirmimi i vazhdueshëm i rolit të gruas në shoqëri. Synimi im kryesor është ndryshimi i mendësisë qeverisës që gruaja të mos trajtohet vetëm si kuotë por e barabartë me burrat”, theksoi ajo.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Hanit të Elezit diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët për kryetar të komunës së Hanit të Elezit: Mehmet Ballazhi nga Demokratike e Kosovës, Rufki Suma, kandidat i Pavarur dhe SHerif Berisha nga Lëvizja Vetëvendosje.

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Hanit të Elezit: Natyra Kalisi nga LVV, Nora Xhoni nga AAK dhe Sara Berisha nga PDK.