Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Prioritetet e kandidateve gra për Asamblenë e Deçanit

Në Debat Pernime kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Deçanit kanë treguar prioritetet e tyre nëse marrin mandat nga zgjedhjet e 17 tetorit.

Nga adresimi i mungesës së ujit të pijshëm deri te cilësia në arsim dhe shëndetësi ishin disa nga zotimet e tyre.

Kandidatja për asambliste në Kuvendin Komunal të Deçanit, nga radhët e PDK-së, Arbnora Dervishaj tha se ajo do tw jetw zwri i qytetarwve qw kanw hall.

“Do ta ngris zërin fuqishëm për shërbime sa më të mira shëndetësore por edhe për mbrojtjen e të gjithë punëtorëve shëndetësor të cilët e dhanë maksimumin sidomos në kohën e pandemisë, por çdo herë janë të diskriminuar”, u shpreh ajo.

Dervishaj adresoi edhe mungesën e ujit të pijes në fshatin Isniq.

Sipas saj, në Deçan nuk nevojitet asfalti dhe rrugët e shtruara nëse nuk kanë ujë të pijes.

Bashkëpartiakja e Dervishajt, kandidatja për asambliste në Kuvendin Komunal të Deçanit, nga radhët e PDK-së, Diana Krasniqi tha se për herë të parë kandidon për këtë pozitë.

Krasniqi u shpreh se prioritet e saj nëse merr mandat do të jenë gjithmonë problemet e qytetarëve.

“Në Deçan si hall më të madh e kemi ujin e pijes. Në shekullin 21 nuk do të duhej të ishte një problem i tillë. Si asambliste do të mbështes më shumë gjininë femërore, gjithmonë do të ngrisë zërin fuqishëm, që sa më shumë gra të punësohen në institucione. Do të jem një zë i fuqishëm edhe për rininë.”, tha ajo.

Kurse, kandidatja për asambliste Fatjona Kuqi nga LDK-ja,  tha se synimi i saj kryesor është që të ndikojë të ketë transparencë në Kuvend Komunal, në konsultime publike, vendimmarrje dhe përkrahje pa diskriminime gjinore.

“Do të jem zë po ashtu dhe do të avokojë në rritjen e cilësisë dhe kuadrove të reja  për të gjithë qytetarët, pa dallim dhe pa diskriminim”, tha ajo.

Fahrije Haklaj nga LDK-ja, e cila po ashtu kandidon për asambliste në Deçan, tha se vjen nga fusha e arsimit, me një përvojë të gjatë.

“E them këtë sepse zotimet e mija kanë qenë qe tri mandate prej që kam qenë në Asamble dhe qytetarët e Deçanit e dinë fuqinë time në Asamble rreth problemeve sidomos në fushën e arsimit. Ajo që më ka shtyrë për herë të katërt të kandidojë është kjo grua që na përfaqëson sot bashkë me tjetrën”, tha ajo.

Ndërkaq, kandidatja për asambliste në Deçan, nga radhët e AAK-së, Floriana Hulaj tha se nëse arrin të marrë mandat prioritet do t’i ketë kërkesat e qytetarëve.

Ajo shtoi se do të jetë mbështetëse e fortë e fëmijëve, pasi edhe me profesion është mësuese.

“Më së miri prioritet e mia do të mund t’i përmbledhë me moton tonë ‘Për Deçanin s’ka me u ndalë’”, u shpreh ajo.

Kolegia e saj nga AAK-ja, kandidate tjetër për asambliste, Lendita Berisha, theksoi se prioritet e ka sjelljen e Deçanit në kryeqendër të turizmit në Kosovë.

“Prioritet tjetër është se do të jem i zë i të gjithë qytetarëve dhe bashkëfshatarëve të mi”, tha ajo.

Në anën tjetër, kandidatja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, për asambliste të Komunës së Deçanit, Teuta Neziraj tha se ka kandiduar për Asamble, duke i parë problematikat e banorëve.

“Si vajzë e re e shkolluar dhe e diplomuar për drejtësi, jam rritur nga prindërit e mi me një dashuri të madhe për vendlindjen. Zëri im do të jetë i ngritur për punësimet të cilat bëhen në baza partiake e jo meritore të brezave që janë të rinj, të shkolluar dhe edukuar dhe e meritojnë të kenë atë vend të punës”, tha ajo.

Neziraj shtoi se do ta përkrahë rininë në sistemin e arsimit dhe punësimit.

“Me theks të veçantë do të kemi zbatimin e Ligjit për barazi gjinore sepse gratë deçanase e meritojnë këtë”, tha ajo.

Ndërkaq, kandidatja për asambliste në Deçan nga Lista “Guxo”, Rabije Haklaj u shpreh e bindur se në koalicion me LVV-në do t’i fitojmë zgjedhjet në Deçan.

“Do të fitojmë sepse përderisa për pushtetin e kaluar fitorja e zgjedhjeve ka qenë privilegj dhe luks, për neve do të jetë obligim dhe përgjegjësi, që të jemi afër qytetarit në çdo vendimbanim, në çdo fshat, në çdo lagje që të bisedojmë me ta dhe të merremi me hallet e tyre dhe përgjegjësi që ta zbatojmë programin tonë qeverisës që përmban cilësi në shëndetësi, me investime në bujqësi”, tha ajo.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Deçanit diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët për kryetar/e të komunës së Deçanit, Ardiana Qorraj nga PDK; Bashkim Ramosaj nga AAK; Hyri Dobrunaj nga LDK; Isa Elezaj – kandidat i pavarur; Orges Tafilaj nga LVV.

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Deçanit: Arbnora Dervishaj dhe Diana Krasniqi nga PDK; Fatjona Kuqi dhe Fahrije Haklaj nga LDK; Floriana Hulaj dhe Lendita Berisha nga AAK; Teuta Neziraj dhe Rabije Haklaj nga LVV.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.