Shkolla Fillore, "Xhemajl Mustafa", Prishtine, Foto: Gentiana Ahmeti, KALLXO.com

Prindi dyshon se fëmija i është sulmuar fizikisht nga mësuesja në shkollë

Me të filluar ora e mësimit një nxënës i klasës së katërt dyshohet se është sulmuar fizikisht nga një mësuese në muajin dhjetor të vitit 2021 në shkollën  fillore ”Xhemajl Mustafa” në Prishtinë.

Në orën e fundit të mësimit, mësimdhënësja K. R. kishte zëvendësuar mësuesen e klasës.

Sipas prindit D. S. me të hyrë mësuesja në klasë kishte evidentuar se një bankë ishte dëmtuar (shkruar) nga fëmijët dhe për këtë kishte ndëshkuar njërin nga nxënësit.

Nëna e fëmijës tregon për KALLXO.com se ditën kur dyshohet se ka ndodhur rasti djali i saj ka qenë në gjendje të keqe emocionale “E ka godit me vizore dhe ia ka përplasë kokën për banke”, tregon prindi, për të cilin veprim thotë se e ka kuptuar nga shokët e shoqet e klasës.

Prindi pasi kishte kuptuar rastin kishte takuar mësuesen thotë se ka kërkuar nga ajo që t`i kërkonte falje fëmijës, por “më ktheu përgjigje se ‘nuk ka asnjë problem vetëm e ka detyru me fshi bankën’ dhe djali në atë moment thotë se ‘po mësuese më ke godit’, ndërsa mësuesja ia kthe se ‘po rren’”.

D. S. më 14 dhjetor kishe dërguar ankesë në Inspektoratin e Arsimit për sjelljen e mësimdhënëses ndaj djalit të saj.

Zyrtarë nga Inspektorati kanë vizituar shkollën dhe kanë mbledhur informacione tre ditë më vonë, por deri më tani nuk kanë marrë asnjë vendim për shkak se mësuesja K. R. kishte raportuar në polici se ishte kanosur nga prindi i fëmijës.

“Prindi e ka raportu rastin në drejtori të shkollës dhe pastaj në Inspektorat të Arsimit, mirëpo mësuesja kishte raportuar prindin në polici për kanosje dhe për këtë arsye Inspektorati i Arsimit vetëm ka grumbulluar informacionet dhe nuk ka marr asnjë veprim tutje për dyshimet e prindit për dhunë ndaj fëmijës së saj nga mësimdhënësja”, thuhet në përgjigjen e Inspektoratit të Arsimit.

Pasi mësuesja kishte paraqitur rastin në polici, prindi është intervistuar nga policia në janar të vitit 2022.

Por, para se të ftohej nga policia ajo thotë se ka shkuar në stacion dhe është interesuar për rastin “Unë kam shku në polici dhe polica më përgjigjen se nuk e marrin për bazë dhe na thonë që është mirë me shku me bisedu me drejtoreshën e shkollës dhe pa u marr vendimi inspektoratit ne nuk mundemi me marrë asgjë”.

Nga Polcia e Kosovës kanë thënë për KALLXO.com se “rasti është raportuar në polici dhe nga ana e prokurorit është cilësuar si “ Kanosje. Ky rast është proceduar në Prokurorinë Themelore në Prishtinë më datë 25.01.2022”.

“Inspektorati më njofton dhe më thotë se nuk mundem me bë diçka. Edhe nëse kanë bë kallëzim penal për mua, ajo është vepër tjetër, ndërsa vepra ndaj djalit është tjetër”, thotë D. S.

KALLXO.com ka provuar të kontaktoj edhe me mësuesen K. R., por përfaqësues të shkollës kanë thënë se ajo nuk do që të përgjigjet.

Ndërsa, Shpresa Shala, drejtoreshë në shkollën ”Xhemajl Mustafa” ka thënë se me rastin janë duke u marr organet e rendit.

“Unë nuk mundem me fol, sepse prindi e ka dërgu rastin në Inspektorat, ndërsa mësuesja e ka dërgu rastin në polici, kështu që për asnjërën nuk jam kompetente me fol për këtë çështje”, ka thënë Shala.

Në një publikim të UNICEF thuhet se dhuna dëmton fëmijën.

“Dhuna jo vetëm që dëmton fëmijët, por shkatërron thelbin e shoqërisë dhe ka një ndikim negativ në mirëqenien e familjeve dhe komuniteteve dhe zhvillimin socio-ekonomik të vendit”, thuhet në publikim.

Të rriturit si alternativë për disiplinim apo edukim të fëmijëve e përdorin dhunën fizike të njohur tashmë si ndëshkim trupor. Por, shumë studime kanë treguar se ndëshkimi trupor është një nga veprimet më negative që të rriturit mund ta bëjë në drejtim të fëmijës.

Me termin ndëshkim trupor, nënkuptohet çdo lloj ndëshkimi që përdor forcën fizike dhe që synon të shkaktojë dhimbje ose shqetësim te fëmija, nga çdo person ligjërisht përgjegjës për fëmijën. Ndëshkimi trupor përfshin forma, të tilla, si: rrahje, tortura, shkundje, shtytje, djegie, goditje, pickim, çjerrje, kafshim dhe qortim i rreptë.

Përveç, Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijëve, në Kosovë kjo formë e ndëshkimit dënohet me Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijës, i cili ka hyrë në fuqi në vitin 2020.

Në Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijëve janë disa nene që në mënyrë specifike parashohin që fëmijët duhet të mbrohen nga të gjitha format e dhunës, përfshirë edhe ndëshkimin trupor.

Ligji e ndalon që një fëmijë të kthehet në subjekt të torturës dhe trajtimit jo njerëzor, jo dinjitoz, ndëshkimit trupor dhe trajtimit degradues nga secili person.

“Ndëshkimi trupor dhe masat disiplinore, të cilat dëmtojnë dhe dobësojnë dinjitetin njerëzor të fëmijës, duke përfshirë format e dhunës fizike dhe mendore, si dhe sjellje që e degradojnë, turpërojnë dhe e vënë fëmijën në situatë të dobët, janë të ndaluara në secilin ambient në shtëpi dhe familje, institucione edukativo arsimore, në institucionet e kujdesit, organet e rendit dhe sistemit të drejtësisë, në ambientet e punës dhe komunitetit”, thuhet në paragrafin e parë të nenit 38 të këtij ligji.

Edhe neni 48 i Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës parasheh që fëmijët në Kosovë mbrohen në të gjitha format e dhunës.

“Fëmija mbrohet nga të gjitha format e dhunës fizike dhe mendore, abuzimi, neglizhimi, keqtrajtimi, shfrytëzimi, trafikimi, peng marrja, pornografia, abuzimin seksual, si dhe forma të tjera të dhunës, pavarësisht vendit ku kryhet, sipas legjislacionit në fuqi”, theksohet në ligj.

Ndëshkimi trupor i fëmijëve nuk është zgjidhje