Prindërit refuzojnë transportin e nxënësve nga kompania që fitoi tenderin nga Komuna e Vushtrrisë

25 prindër që kanë fëmijë në shkollën fillore ‘Migjeni’ të fshatit Stanoc të Vushtrrisë,po kundërshtojnë një kompani private që ka fituar tenderin nga komuna, për transportin e nxënësve.

Prindërit që kanë nënshkruar një peticion po pretendojnë se shoferi i kompanisë ‘Andi’, Faik Jetullahu, më herët ka pasur aksidente në rrugë dhe po ndihen të shqetësuar për sigurinë e fëmijëve.

Disa prej prindërve thonë se kanë dëshirë që bartjen ta bëjë një banor i këtij fshati edhepse i njëjti nuk kishte aplikuar drejtpërdrejt në tender.

Në anën tjetër, kompania që ka fituar tenderin dhe familjarët e shoferit në fjalë mohojnë se i njëjti ka pasur aksidente dhe theksojnë se tenderi është fituar në mënyrë ligjore.

Avdyl Bajqinovci, banor i fshatit për KALLXO.com tha se dëshiron që fëmijët të barten nga Naim Pronaj, që ka qenë bartës i tyre për një kohë.

“Shihet në video kur ka bërë aksident… fëmijët janë mësuar me Naim Pronajn”, ka thënë Bajqinovci.

Banori tjetër i fshatit, Ilaz Terakaj, ka thënë se prindërit janë kundër kësaj kompanie pasi përveç aksidenteve, shoferi është edhe i moshuar.

“Ne jemi kundër pasi kjo kompani dhe shoferi nuk i plotësojnë kushtet. Kemi bërë ankesë në komunë por nuk kanë reaguar”, ka thënë Terakaj.

Ai ka treguar se janë rreth 50 nxënës nga ky fshat që kanë nevojë për transport dhe sipas tij, tashmë shumica e prindërve janë duke e paguar transportin e nxënësve në mënyrë private, e jo përmes kompanisë ‘Andi’ që e ka fituar tenderin dhe është paguar nga komuna.

Një banor i këtij fshati, në tre vitet e fundit ka transportuar nxënësit e kësaj shkolle, pretendon se ai e ka merituar ta fitojë tenderin e komunës për transportin e nxënësve dhe se për këtë e ka përkrahjen e prindërve.

Naim Pronaj, në një përgjigje për KALLXO.com, thotë se ai në mënyrë vetanake e ka bërë transportin e nxënësve në tre vitet e fundit.

“Firma ‘Andi’ për tender ka aplikuar në ditën e fundit me shumën 300 euro më lirë. Personi nga kompania që vozit autobusin ka pasur aksidente…”, ka thënë Pronaj.

Megjithatë zyrtari i Drejtorisë së Arsimit në komunën e Vushtrrisë, Afrim Namani, ka thënë se komuna vetëm ka përmbushur kërkesën dhe e ka siguruar transportin për nxënësit e shkollës, sipas procedurave ligjore.

Sipas Namanit, në lidhje me aksidentet, është njoftuar nga inspektoriati i komunikacionit dhe policia se ligjërisht është në rregull.

“Ne si Drejtori e Arsimit  dhe komunë në përgjithësi, vlerësojmë se kemi plotësuar kërkesen e banorëve të fshatit Stanoc dhe kemi siguruar transport për nxënësit konform procedurave ligjore në fuqi, por duhet ta dini se si institucion nuk mund të paragjykojmë dhe të zgjedhim se kush do te jetë ofertuesi më i përgjegjshëm në tender, pasi për  këtë vendosin dispozitat ligjore”, ka thënë Namani në një përgjigje për KALLXO.com.

Namani tutje ka thënë se komuna i ka marrë parasysh kërkesat dhe peticionin e banorëve, ndërsa thotë se Naim Pronaj nuk ka ofertuar në emër të vetin dhe nuk ka leje për transport.

Pronaj, në anën tjetër, thotë se ka aplikuar në tender përmes një miku të tij, që të mos paguajë tatim për shkak të kushteve jo të mira ekonomike.

“Unë e di që miku im i ka do linja por në cilat fshatra saktë dhe sa i ka nuk e di, për këtë linjë për bartjen e nxënsve në shkollen ‘Migjeni’ ka apliku për mua për mos me pagu tatim për shkak të kushteve jo të mira ekonomike. Unë e bëjë bartjen e nxënsve të lagjes Grace, Terakaj dhe që të gjitha këto janë prej komunës në tender”, ka thënë Pronaj.

Ai ka thënë se Faik Jetullahu tashmë është pensioner dhe prej se e ka fituar tenderin, ai transporton vetëm tre nxënës të shkollës.

Tenderi i kompanisë ‘Andi’

Kompania ‘Andi’ e kishte fituar tenderin me datë 10 shtator të këtij viti dhe tre ditë më vonë kishte nënshkruar kontratën me komunën, ku vlera e përgjithshme është 5 mijë e 642 euro.

Në një përgjigje me shkrim për KALLXO.com, kjo kompani kanë kritikuar Pronajn për operim të jashtëligshëm.

“Ne kemi fituar këtë kontratë sipas procedurave të rregullta dhe me nënshkrimin e kontratës ofron shërbimet e kontraktuara dhe nuk merremi me njerëz ilegal, që as policia e as komuna nuk ka fuqi me i largu nga operimi jashtëligjor”, thuhet në përgjigjen e kompanisë.

Kontakti me Faik Jetullahun, shoferin e kontraktuar, ka qenë i pamundur deri më tani.

Megjithatë, KALLXO.com ka kontaktur në telefon edhe me Muhamet Jetullahun, djalin e shoferit të kompanisë ‘Andi’.

Ai ka treguar që prindi i tij është duke punar sipas kontratës dhe se pretendimet për aksidente janë shpifje.

‘’Po sipas kontratës është duke i transportu fëmijet në shkollen ’Migjeni’. Pretendimet për aksidente janë shpifje”, ka thënë shkurtimisht Jetullahu.

Megjithatë, policia e rajonit të Vushtrrisë, për KALLXO.com, kanë thënë se shoferi Faik Jetullahu në aksidentin e vitit 2016 ka qenë i përfshirë si i dyshuar dhe shkaktar.

‘’Faik Jetullahu në aksident ka qenë i përfshirë si i dyshuar, nga ky aksident 1 person ka mbetur i lënduar, lënda në fjalë është duke u trajtuar në prokurori‘’, ka thënë Avni Zahiti në përgjigjen e tij me telefon.

Peticionin e organizuar nga prindërit e fshatit Stanoc, që kompania dhe shoferi në fjalë të mos lejohen që të bëjnë transportin e nxënësve për në shkollë e kanë nënshkruar rreth 25 persona.