Prindërit e fëmijëve me Sindromën Down në ankth nga rreziku i mbylljes së qendrave

Fëmijët të cilët marrin shërbime dhe kalojnë kohën në qendrat  e “Down Syndrom Kosova” rrezikohen të mbesin pa “shtëpinë” e tyre të dytë në fund të muajit shtator për shkak të mungesës së fondeve.

Shoqata me qendra nëpër Kosovë që ndihmon në trajtimin e fëmijëve më këtë sindromë është goditur nga kriza ekonomike e shkaktuar nga pandemia. Ata momentalisht kanë mbetur nën mëshirën e dhuruesve vullnetarë, në mungesë të fondeve nga shteti.

Behare Shaqiri, nëna e Sumesë, një vajze 11 vjeçare me sindromë Down, tash e katër vite nga Vitia është zhvendosur në qytetin e Ferizajt për të ja lehtësuar jetën vajzës së saj.

Ajo vendosi që të jetëojë afër qendrës në të cilën Sumea përveç terapive të zhvillimit, terapi logopedike dhe ato të fizioterapisë, aty shkon edhe për kohë të lirë.

Nëna e Sumesë është ekonomiste e diplomuar dhe tërë kohën ja kushton vajzës së saj.

Ajo  thotë se mbyllja  e qendrës “Down Syndrome Kosova”, nuk mundet as ta paramendohet  sepse shërbimet private për fëmijën e saj dhe për të tjerët janë shumë të shtrenjta.

Sipas saj  shuma prej 100  eurove të cilat i marrin nga shteti nuk janë të mjaftueshme.

“Për neve është një shok nëse mbyllet kjo qendër, sepse është i vetmi vend ku mundemi me i dërgu fëmijët edhe i kemi shërbimet falas. Ne nuk mundemi si prindër duke i pa rrethanat që shumë familje varen prej socialit të fëmijës”, ka thënë ajo.

Me 14 korrik organizata “Down Syndrome Kosova”,  i kishte dërguar kërkesë zyrtare kryeministrit Avdullah Hoti, ministres së Financave Hykmete Bajrami dhe ministrit për Mirëqenie Sociale Skender Reçica, përmes së cilës kanë kërkuar që këto institucione të shqyrtojnë mundësitë e ndarjes së buxhetit për mbështetjen e shërbimeve psiko-sociale për personat me sindromën Down.

Sebahate Ajdini Beqiri, drejtoreshë në DKS ka bërë të ditur se për kërkesat e bëra më shumë së një muaj më parë ende nuk kanë marrë ndonjë përgjigje.

“Tash jemi duke funksionu sot për nesër, duke siguru fonde individuale, qoftë nga individ, qoftë nga biznese. Iniciativa për qendrën në Mitrovicë që janë mbledh 10 mijë euro por nuk janë të mjaftueshme. Mirëpo sa i përket institucioneve publike ne nuk kemi marr përgjigjie.”, ka thënë ajo.

Në anën tjetër në përgjigjet për KALLXO.com Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale kishte thënë se në vitin 2019 e njëjta organizatë kishte përfituar si organizatë e licencuar nga Grandi i MPMS-së në vlerë prej 30,000.00 €.

“Në këtë vit asnjë organizate, me përjashtim të strehimoreve të cilat trajtojnë rastet e trafikimit, dhunës në familje  dhe fëmijëve pa përkujdes familjar të lënë pas dore, ende nuk kanë përfituar, pasi nuk ka pasur thirrje dhe posa kjo të ndodh,  organizata në fjalë mund të i përgjigjet thirrjes dhe   do të jetë në mesin e atyre  që me siguri do i plotësoj kriteret që serish të jetë përfituese.”, thuhet në përgjigjen e MPMS.

Në anën tjetër, nëse fëmijët do të mbesin pa shërbimet e Down Syndrom Kosova, prindërit dhe udhëheqësit e DSK-së kanë paralajmëruar protesta

Në qendrat e DSK-së janë 300 persona, , prej të cilëve 120 janë fëmijë të moshës 0-12 vjeç. Qendra Down Syndrome Kosova ka 13 vite që ofron shërbime psiko-sociale për personat me sindromin Down, në Prishtinë, Ferizaj, Mitrovicë dhe Prizren.

Shoqata “Down Syndrome” kërkon mbështetje nga Qeveria, thonë se rrezikojnë të mbyllin qendrat

 

 

 

Ky botim është prodhuar si pjesë e projektit “Mbështetja e medieve dhe gazetarisë për të drejtat e njeriut në Kosovë”, përkrahur nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe realizuar nga Kosovo 2.0, CEL dhe QKSGJ. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e Internews Kosova dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i BE-së,  K2.0, CEL apo QKSGJ.