Vali Corleone | Foto: Facebook
Princvalentino Corelone shoqërohet në Polici, dyshohet se iu gjetën kokainë dhe 11 fishekë
Princvalentino Corleone është shoqëruar në Polici gjatë ditës së djeshme pasi gjatë bastisjes së një hoteli në Gjilan, ku po qëndronte ai, në dhomën e tij janë zbuluar një sasi e vogël e narkotikëve dhe 11 fishekë.
Burime brenda Policisë e kanë konfirmuar rastin.
“Dhoma ku po qëndronte ai është bastisur dhe aty janë zbuluar një sasi e vogël e narkotikëve prej 0.3 gram dhe 11 fishekë. Vali Corleone dhe të tjerët janë liruar në procedurë të rregullt” – kanë thënë për KALLXO.com burime brenda Policisë.
Ngjarja ka ndodhur të shtunën e 4 marsit në ora 15:45.
Ky rast është përmendur edhe në raportin 24-orësh të Policisë.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që në dhomën e tij të hotelit janë gjetur dhe konfiskuar 0.3 gram substancë narkotike e llojit Kokainë dhe 11 fishekë. Me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt” – është thënë në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.
Në një përgjigje për KALLXO.com nga Drejtoria e Rajonale e Policisë në Gjilan kanë kërkuar që për këtë të drejtohemi te niveli qendror i Policisë së Kosovës.
Megjithatë, nga Policia e Kosovës janë përgjigjur se nuk kanë ndonjë konfirmim me emra gjersa kanë shtuar se “Rajoni i Gjilanit është kompetent për këtë”.
KALLXO.com ka provuar të marrë një përgjigje edhe nga kryeprokurori i Prokurorisë së Gjilanit, Arben Kadriu, mirëpo, ai nuk e ka dhënë një konfrimim duke kërkuar që për këtë temë gjatë së hënës t’i dërgohen pyetje përmes emailit.
Ndërkaq, KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Sherif Sherifi, avokatin e Princvalentino Corleones por ai ka thënë se nuk ka një informacion zyrtar për këtë gjë.
“Kam pa që po qarkullon ky lajm por ne nuk kemi informacion zyrtar me të cilin vërtetohet ky lajm” – ishte përgjigja e avokatit Sherifi.