Princi saudit akuzon Izraelin për “gjenocid” në Gazë
Princi i kurorës saudite, Mohammed bin Salman, ka dënuar veprimet e Izraelit në Gazë si “gjenocid”, në disa prej kritikave më të ashpra publike ndaj vendit nga një zyrtar saudit që nga fillimi i luftës, ka raportuar BBC.
Duke folur në samitin e liderëve myslimanë dhe arabë, princi kritikoi gjithashtu sulmet izraelite ndaj Libanit dhe Iranit.
Në shenjë të përmirësimit të lidhjeve midis rivalëve Riad e Teheran, ai paralajmëroi Izraelin kundër nisjes së sulmeve në tokën iraniane.
Udhëheqësve de fakto të Arabisë Saudite iu bashkuan udhëheqës të tjerë të pranishëm në thirrjen për tërheqje totale të Izraelit nga Bregu Perëndimor dhe Gaza.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Arabisë Saudite tha se ishte “dështim i komunitetit ndërkombëtar” fakti që lufta në Gaza nuk është ndalur, duke akuzuar Izraelin për shkaktimin e urisë në territoret palestineze.
Princi Faisal Bin Farhan Al-Saud tha: “Aty ku komuniteti ndërkombëtar kryesisht ka dështuar është përfundimi i konfliktit të menjëhershëm dhe fundi i agresionit të Izraelit”.
Lufta në Gazë u shkaktua nga sulmi i “Hamasit” më 7 tetor 2023, ku qindra persona të armatosur hynë në Izraelin jugor. Rreth 1.200 persona u vranë dhe 251 të tjerë u morën peng.
Izraeli u hakmor duke nisur fushatë ushtarake për të shkatërruar “Hamasin”, gjatë së cilës më shumë se 43 mijë njerëz janë vrarë në Gazë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të drejtuar nga “Hamasi”.
Një raport nga Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut zbuloi se afër 70 për qind e viktimave të verifikuara gjatë një periudhe gjashtëmujore në Gaza ishin gra dhe fëmijë.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com