‘Prifest’ dhe ‘PriForum’ hapin thirrjen për aplikim për ‘Best Pitch 2020’

Prishtina International Film Festival (Prifest) dhe Prishtina Film Forum (PriFORUM)  kanë hapur thirrjen për aplikime për “Best Pitch 2020”.

Të drejtë konkurrimi  kanë projektet filmike artistike të cilët janë projekti i parë ose i dytë i kineastit (regjisori ose producenti), në fazën e zhvillimit ose financimit dhe janë nga rajoni i Ballkanit.

Përmes një njoftimi në Facebook, “Prifest” njofton se “Best Pitch 2020” u mundëson kineastëve ballkanike një seancë të zhvillimit të skenarit ose një seancë kokë më kokë me një ekspert financimi dhe bashkë-prodhimi me përvojë shumëvjeçare në këtë fushë.

Po ashtu edhe takime me shpërndarësit dhe agjentët e shitjeve nga disa prej kompanive më të rëndësishme në Europë në Prishtina Rendez-vous.

Çmimet që do të jepen në “Best Pitch 2020” do të ndahen nga një juri ndërkombëtare.

Përveç “Best Pitch, “PriFest” ka hapur edhe thirrjen për Projektin e Gjelbër të Filmit, duke i ftuar kineastët që aspirojnë të aplikojnë me filma të shkurtër (30 sekonda deri në 3 minuta) në lidhje me mbrojtjen e mjedisit.

“Siç është traditë, ‘PriFest’ do të sjellë së bashku prodhues, shpërndarës, përfaqësues të tregut të filmit, kompani të shitjes dhe agjentë, fonde filmi nga rajoni, profesionistë të industrisë së filmit nga Evropa dhe përfaqësues nga festivale të rëndësishme të filmit. Duke ofruar mundësi unike përmes një programi të pasur aktivitetesh, ‘Priforum’ dhe ‘PriFest’ vlerësohen shumë nga kineastët vendas dhe Shoqata e Producentëve të Kosovës”, thuhet në njoftimin e “Prifest”.

Afati i fundit për dërgimin e aplikacioneve është 1 qershori 2020, në www.prifest.org.

Duke marrë parasysh rrethanat e krijuara nga pandemia e COVID-19, si të gjitha festivalet e tjera ndërkombëtare, “PriFest” do të monitorojë situatën për të parë se si zhvillohet dhe do të eksplorojë mundësi alternative në rast se situata nuk ndryshon deri në korrik.

Edicioni 12-të i “PriFest” është paraparë të mbahet nga 14 deri më 19 korrik 2020.