Prezencë joligjore e Policit në Istog, menaxherja e largon nga qendra e votimit

Ne Qendrën e Votimit në Gurrakoc të Istogut, një polic  është parë brenda qendrës së votimit duke biseduar me qytetarë.

Kjo sipas rregulloreve dhe ligjeve në fuqi nuk është e lejuar.

KALLXO.com ka biseduar me menaxheren e qendrës së votimit në Gurrakoc të Komunës së Istogut, Mimoza Kabashi, për të kuptuar arsyet e qëndrimit e zyrtarit policor brenda qendrës së votimit.

Ajo deklaroi se nuk është ne dijeni për praninë e tij ndërsa të njëjtit i kërkoj që të largohet nga qendra e votimit.

Pas diskutimit me zyrtarin policor i njëjti u largua nga objekti i qendrës së votimit dhe sipas rregullores doli jashtë saj.

Ligji për Zgjedhjet përcakton personat e autorizuar që mund të jenë të pranishëm në vendvotim ose në qendrën e votimit përcakton që Policia mund të jetë e pranishme vetëm në rastet kur ata janë thirrur për të vendosur rregull.

Neni 82.1 – LPV-ja e votuesve të caktuar në të njëjtën QV përgatitet në mënyrën e përshkruar nga KQZ-ja në mënyrë që asnjë VV brenda QV-së nuk tejkalon 750 votues. Përjashtimet nga kjo rregull mund të autorizohen nga KQZ-ja.

82.2 – Një VV duhet të jetë mjaft i madh për të siguruar mbajtjen e drejtë të votimit duke vendosur të gjitha stacionet e punës siç janë përkufizuar në këtë ligj dhe duke siguruar fshehtësinë e votës, pamjen e lirë dhe kontrollin e kutisë së votimit, dhe qasje të papenguar për vëzhgues.

82.3 Personat në vijim janë të autorizuar të jenë të pranishëm në vendvotim ose Qendër të Votimit:

  1. a) personat e pranishëm me qëllim të votimit;
  2. b) anëtarët e Këshillit të Vendvotimit dhe stafi i Qendrës së Votimit;
  3. c) anëtarët e KQZ-së dhe personeli i SKQZ-së;
  4. d) anëtarët e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve;
  5. e) vëzhguesit e akredituar të procesit zgjedhor;
  6. f) policia, kur thirren për të vendosur rregull; dhe
  7. g) përkthyesit për personat e shënuar në pikat (c) (e) dhe (f) të këtij nën-paragrafi