Prezantohet studimi për traumën ndërbrezore nga dhunimet seksuale gjatë luftës

 

Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë dhe Qendra e Rehabilitimit të Kosovës për Viktimat e Torturës (QKMRT) kanë mbajtur konferencën me temën “Trauma ndërbrezore”, lidhur me dhunën seksuale gjatë luftës, duke prezantuar edhe studimin që tregon lidhshmërinë dhe ndikim e traumës nga një gjeneratë në tjetrën.

Në këtë konferencë ka marr pjesë edhe Kontesha e Wessex e Britanisë së Madhë e cila po qëndron për vizitë në Kosovë.

Feride Rushiti, drejtoreshë e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKMRT), tha se për 20 vjet kanë mobilizuar shumë organizata qeveritare dhe institucione vendore e ndërkombëtare për ta çuar tutje kauzën e grave të dhunuara gjatë luftës.

“Duke i dëgjuar rrëfimet duke punuar me gra e burra, shumë nëna kishin edhe ndjenjë fajësie për shkak se simptomat mund t`i shfaqnin te fëmijët e tyre. Po shpalos para jush një studim shkencor që ka për qëllim të afektimin e mundshëm mes nënave dhe fëmijëve. Ky studim po bëhet për herë të parë në botë për lidhjen e mundshme mes nënave dhe fëmijëve. Ky studim ka të bëjë me fëmijët që kanë lindur pas periudhës së luftës dhe jo fëmijët e lindur nga dhunimi”, tha Rushiti.

Ndërkaq, Kontesha e Wessex është shprehur se ka pasur mundësinë të flas me disa nga të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

“Rrëfimet e tyre janë të tmerrshme dhe dhimbja e tyre është evidente por guximi i tyre të mos i nënshtrohen këtyre traumave është mbresëlënëse. Porosia e tyre për mua ishte që përkundër guximit që është dashur ta gjejnë, ato kanë nevojë për drejtësi dhe për ne. Dhimbja dhe pasoja e tyre lidhur me konfliktin nuk zhduket me kohën. Nëse nevojat e tyre nuk adresohen ato vetëm se shtohen. Konflikti lë shumë plagë, por më e madhja është stigma me të cilat ato ballafaqohen. Është koha të kuptohet se ato sulme brutale që kanë kaluar nuk ka qenë faji i tyre. Dhe shumë fëmijët të lindur nga dhunimet e që duhet të dalin nga hijet dhe zëri i tyre duhet të dëgjohet. Nëse kjo stigmë nuk sfidohet duhet të angazhohemi të mos ketë stigmë”, tha Kontesha.

Sipas saj, Kosova është shtet i ri me plot gjallëri me rininë e saj që është e drejtuar nga e ardhmja.

“Ju përgëzoj për punën qe jeni duke e bërë. Çdo i mbijetuar që është paraqitur nuk i përfaqëson të gjithë ata sepse ka të tjerë që i mbajnë për vete rrëfimet e tyre. Të inkurajojmë shoqërinë t`i përqafojnë ata dhe t`i pranojnë. Përgëzoj Vasfije Krasniqi Goodman dhe Shyherete Tahirin. Unë do të vazhdoj të ngrit zërin tim dhe do të gjej rrugë dhe mënyra për ta larguar stigmën. Koha për drejtësi është tani dhe shpresoj se Kosova do ti bashkohet ftesës sonë për një të ardhme më të mirë”, tha ajo.

Kurse, e mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, Vasfije Krasniqi Goodman, ka thënë se e ka të vështirë të flas për traumat që ka pasur dhe ndikimin e tyre te fëmijët e saj.

“Për mua është shumë e vështirë të flas për traumat qe kam pasur, si nënë e dy vajzave. Shpesh e kam fajësuar vetën nëse po bëj gjënë e duhur duke rritur fëmijët e mi. Jam e lumtur që shkenca ka dëshmuar që trauma bartet te fëmijët e mi, por jo pse unë nuk jam nënë e mirë. Ju faleminderit të gjithëve që jeni këtu”, ka thënë Krasniqi-Goodman.

Në anën tjetër, drejtori i Institutit Danez kundër Torturës, Rasmus Grue Christensen, tha se studimi e analizon pyetjen nëse pasojat e dhunës seksuale ndërlidhur me to dhe se a mundet në mënyrë gjenetike kjo traumë të bartet nga një gjeneratë në tjetrën.

“Këto studime kanë treguar se kjo mund të ndodhe por duhen studime më sistematike për këtë fenomen tragjik. Trauma nuk përfundon kur mbarojnë luftimet por ndikon edhe pas saj. Shumë të mbijetuar kanë probleme fizike dhe mendore dhe shpesh nuk mund të ballafaqohen me sfidat e jetës se përditshme”, tha ai.

Për këtë studim, janë intervistuar 130 gra qe kishin përjetuar dhunë seksuale/tortura gjatë luftës në Kosovë dhe janë mbledhur mostrat e gjakut nga 120 fëmijët më të vegjël të lindur nga secila grua.

“Gati 30% e fëmijëve kanë nivele anormale (shumë të larta ose të ulëta) të kortizolit. Kortizoli është hormoni kryesor i stresit i cili nxitet si përgjigje nga stresi ose trauma madhore. Këtu vërejmë  se fëmijët e lindur nga nënat me ÇSPT gjatë shtatzënisë kishin më shumë gjasa të kishin nivele të larta të kortizolit (15.5%) në krahasim me fëmijët e lindur nga nënat pa ÇSPT gjatë shtatzënisë (3.0%)”, thuhet në studim.

Konferencë për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë

Publiée par Kallxo.com sur Jeudi 17 octobre 2019

.