Këshilli Prokurorial i Kosovës – FOTO: Laurant Berisha – KALLXO – 25.01.2024

Prezantohet në KPK raporti gjashtë mujor për veprat penale karakteristike

Në mbledhjen e 257 të Këshillit Prokurorial të Kosovës është prezantuar raporti gjashtëmujor ( janar – qershor 2024) i mekanizmit përcjellës ndërinstitucional për veprat penale karakteristike që kanë të bëjnë me vepra penale si keqpërdorim, armëmbajtje, narkotik dhe vepra të ngjashme.

Besim Kusari si prezentues i këtij raporti elaboroi veprimet që janë ndërmarrë nga prokuroria për vepra penale karakteristike, siç janë: veprat penale të armëmbajtjes, narkotik, nxitje të urrejtjes, korrupsion dhe vepra të tjera.

Në këtë raport janë paraqitur të dhëna statistikore lidhur me kërkesat për caktimin e paraburgimit, ngritje të aktakuzave dhe aktgjykimet liruese dhe dënuese.

Sipas Besim Kusari i cili prezantoi raportin gjashtë mujor, nga analizimi i 2027 rasteve, 555 raste janë zgjidhur gjithsej.

Për 91% të personave të dyshuar për armëmbajtje janë ngritur aktakuza, një përqindje prej 99% të personave të dyshuar për narkotik kanë përfunduar me aktakuzë. 31% të rasteve të natyrës së korrupsionit kanë përfunduar me aktakuza ndërsa për krim të organizuar janë ngritur aktakuza në 58% të rasteve.

Sa i përket kërkesave të aprovuara të prokurorisë për caktimin e paraburgimit janë aprovuar rreth 67 për qind e këtyre kërkesave nga ana e Gjykatës. Për rastet me narkotik këto kërkesa për paraburgim janë aprovuar në 85% të rasteve. Për armëmbajtje janë aprovuar 65% e kërkesave, lidhur me rastet e korrupsionit kemi një përqindje të aprovimit të kërkesave për paraburgim prej 75% të rasteve.

Sipas këtij raporti vetëm 2% e aktakuzave janë hudhur para shqyrtimit gjyqësor, 79 për qind të personave të akuzuar janë shpallur fajtor, 15% e personave të akuzuar  janë liruar me aktgjykim lirues dhe vetëm për një përqindje prej 4% aktakuzat janë refuzuar.