Foto: KALLXO.com

Prezantohet manuali për vlerësimin nga jashtë të Institucioneve të Arsimit të Lartë

Agjencia e Kosovës për Akreditim në bashkëpunim me HERAS+ kanë prezantuar sot manualin për vlerësimin e jashtëm të Institucioneve të Arsimit të Lartë.

Ky manual u vlerësua se do t’i ndihmojë ekspertëve të jashtëm, të cilët angazhohen nga Agjencisë Kosovare për Akreditim (AKA) për vlerësimin e programeve dhe institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë.

Drejtori i AKA-së, Naim Gashi tha se ky manual do t’i ndihmojë Kosovës për rikthimin në ENQA.

“Ky manual do t’i dërgohet të gjithë ekspertëve të jashtëm që angazhohen për vlerësimin e programeve dhe institucioneve sepse në të kaluarën kemi pasur probleme, pasi që ekspertët nuk kanë qenë të njohur me sistemin e arsimit të Kosovës”, tha Gashi.

Ai shtoi se manuali do u dërgohet të gjithë ekspertëve të miratuar nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë.

“Ky manual na mundëson që ata të kenë një pasqyrë të qartë para se të vijnë ata dhe të bëjnë vlerësimin. Para se të fillojë akreditimi ne ia dërgojmë të gjithë ekspertëve këtë manual dhe do të jetë publike për të gjithë”, tha më tej Gashi.

Ndërsa, udhëheqësi i projektit HERAS+, Aqim Emurli tha se për këtë manual është punuar rreth tre muaj.

Kurse, Majlinda Mazelliu, eksperte ritheksoi se ky manual përmbush një nga kriteret e ENQA-s.

“Kjo do të ndikojë në përmbushjen e disa rekomandimeve që i ka dhënë ENQA për rikthimin e agjencisë. Sa i përket metodologjisë, ajo ka qenë e paracaktuar në bashkëpunim me AKA dhe HERAS+ dhe është mikse ku janë përdorur metoda sasiore dhe cilësore”, shtoi ajo.

Mbështetja e Projekti HERAS Plus për zhvillimin e këtij Manuali përbën një nga aktivitetet e dakorduara që janë pjesë e Memorandumit të Mirëkuptimit të nënshkruar në nëntor 2020 nga dy palët me qëllim të ofrimit të mbështetjes për ndërtimin e kapaciteteve të AKA-së dhe për përmbushjen e kritereve për kthimin e Agjencia së Kosovës për Akreditim në ENQA.