Prezantohet 'Hulumtimi Kombëtar mbi Antigjipsizmin në Kosovë'

Gjatë ditës së sotme është mbajtur konferenca për publikimin e “Hulumtimit Kombëtar mbi Antigjipsizmin në Kosovë” në ambientet e ndërtesës së e Qeverisë së Kosovës.

Sipas një komunikate të lëshuar nga Voice of Roma, Ashkali and Egyptians thuhet se ky hulumtim Kombëtar mbi Antigjipsizmin në Kosovë është i pari i këtij lloji kudo.

“Prandaj është një mjet dhe metodologji bazë shumë e rëndësishme, jo vetëm për Kosovën, si vend pjesëmarrës, por për të gjitha vendet e tjera në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë më gjerë, ku antigjipsizmi është i përhapur si një faktor kufizues i jetës për romët (në Kosovë , popullata rome, ashkalike dhe egjiptiane)”, thuhet në komunikatë.

Qëllimi i hulumtimit kombëtar mbi antigjipsizmit në Kosovë sipas kësaj komunikate është të hulumtojë rrënjët dhe manifestimet e antigjipsizmit, ndikimin e tij negativ në përfshirjen sociale të romëve, ashkalive dhe egjiptianëve dhe të identifikojë zgjidhjet e mundshme për t’u integruar në aktivitetet më të mëdha të projektit dhe politikat e qeverisë.

“Hulumtimi Kombëtar mbi antigjipsizmin në Kosovë synoi të eksplorojë të kuptuarit e publikut të gjerë për të tri grupet e pakicave etnike, romët, ashkalitë dhe egjiptianët, për të identifikuar dhe provuar të kuptojë themelet e besimeve mbizotëruese diskriminuese të mbajtura nga të tjerët ndaj këtyre grupeve minoritare”, është thënë në komunikatë.

Ndërkaq, hulumtimi është porositur nga një Konsorcium i përbërë nga: Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve Kosova; Ter des Hommes Kosova, HEKS/EPER, si agjenci ndihmëse e kishave protestante zvicerane; dhe Zyra për Qeverisje të Mirë, Zyra e Kryeministrit në Kosovë.

“Antigjipsizmi është një fenomen kompleks që vepron në mënyra të ndryshme që përshkojnë praktikat institucionale, normat dhe procedurat e tyre dhe politikat duke penguar kështu funksionimin e institucioneve demokratike, duke prodhuar dhe riprodhuar kështu pabarazi ndërmjet romëve, ashkalive dhe egjiptianëve dhe pjesës tjetër të shoqërisë, dhe duke stigmatizuar identitetin e këtyre grupeve”, thuhet tutje në këtë komunikatë.