Ilustrim

Prezantohen rrejshëm se janë polic, arrestohen dy persona

Gjatë ditës së sotme dy persona janë arrestuar nën dyshimin se janë prezantuar rrejshëm se janë zyrtar policor dhe kanë ndaluar një veturë.

Policia e Rajonit të Pejës ka njoftuar se kanë marrë informacionet nga një çift bashkëshortor se janë ndaluar gjatë ditës së sotme nga një veturë e cila i kishte aktivizuar edhe një lloj alarmi, i cili përdoret nga ana e policisë.

Burri i cili ishte duke vozitur veturën, ishte ndaluar, ndërsa personat e dyshuar ishin prezantuar si zyrtar policor dhe i kishin kërkuar viktimës dokumentet.

Pas ndalimit, viktima i kishte thënë njërit nga të dyshuarit se po e njeh dhe i njëjti ia kishte kthyer dokumentet dhe ishte larguar.

Pas informacionit të pranuar mbi të dhënat e veturës së dyshuar, Policia menjëherë janë vënë ne ndjekje të personave të dyshuar të cilët pas identifikimit janë arrestuar të njëjtëve u është konfiskuar drita vezulluese të cilën dyshohet se e kanë përdorur për ndalimin e veturës.

Të dyshuarit janë intervistuar nga hetuesit e Stacionit Policor në Pejë dhe më pas me urdhër të Prokurorit të shtetit u është caktuar masa e ndalimit Policor dhe janë dërguar në mbajtje.