Foto: MMPHI

Prezantohen fazat e hidrosistemit Ibër-Lepenc që do të sigurojë ujë për gjysmën e Kosovës

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka bërë të ditur se faza e dytë e hidrosistemit Ibër-Lepenc po fillon të jetësohet drejt një zgjidhjeje përfundimtare të problemit me ujë për gjysmën e Kosovës.

Ministria ka njoftuar se pas aprovimit të grantit për zhvillimin e dizajnit preliminar dhe vlerësimit mjedisor dhe social për digën e Firajës, në vlerë prej 1.8 milion euro, sot në ambientet e MMPHI-së, u mbajt takimi mes përfaqësuesve të institucioneve përfituese për përgatitjen e kornizës institucionale për zbatimin e këtij projekti.

“Studimi i Fizibilitetit për Ndërtimin e Kanalit të Lepencit dhe Digave të Shtimes dhe Firajës” rekomandoi një qasje në dy faza për zbatimin e projektit, respektivisht, fazës së dytë të Ibër-Lepencit.

Sipas MMPHI-së, faza e parë siguron ujë për nevojën urgjente për ujë të pijshëm për 400,000 banorë në zonën e projektit, dhe faza e dytë (deri më 2031) fokusohet kryesisht në zhvillimin e bujqësisë.

Faza e parë përfshin ndërtimin e digës devijuese të Firajës së Poshtme dhe rrjetit përcjellës të tubacioneve të ujit në zonat e shërbimit të tre KRU-ve (Prishtina, Bifurkacioni dhe Hidromorava).

Kjo fazë parashikohet të përfundojë gjatë viteve 2025-2026 dhe llogaritet të kushtojë rreth 49,2 milionë euro.

Faza e dytë përfshin ndërtimin e digës së epërme të Shtimes dhe kanaleve të transferimit dhe transportit të ujit për qëllime të ujitjes.

Faza e dytë llogaritet të kushtojë rreth 332,2 milionë euro.

“Objektivi kryesor i projektit (fazë së parë – Digës së Firajës) është të adresojë mungesat e vazhdueshme të ujit dhe të përmbushë nevojat e furnizimit me ujë për banorët dhe industrinë e 9 komunave duke përfshirë Ferizajn, Gjilanin, Kaçanikun, Shtimen, Lipjanin, Vitinë, Kamenicën, Kllokotin dhe Shtërpcen”, thuhet në njoftim.

Tutje Ministria ka theksuar se projekti ka këto synime: Sigurimi i ujit për pjesën e Kosovës me “stres ujor”, rritja e potencialit të zhvillimit industrial/tregtar për shkak të ofrimit të furnizimit adekuat dhe të besueshëm 24-orësh me ujë, potenciali për zhvillimin e deri në 20,000 hektarë tokë bujqësore të ujitura (me fazën e dytë); si dhe zhvillimi i potencialit hidroenergjetik të digave të propozuara për të kontribuar në burimet e ripërtërishme të energjisë së vendit.