Seanca ndaj ish-kryeshefit të KPM-së, Luan Latifi (08.11.2022), Foto: KALLXO.com

Pretendimi i dëshmitarit: Paratë u kërkuan në emër të Luan Latifit

Sot ka vazhduar deklarimin dëshmitari Elhami Haziri, i cili pretendon se ish-kreyshefi i Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM), Luan Latifi, i ka kërkuar 25 mijë euro ryshfet.

Përpos Elhami Hazirit, pronar i operatorit Telkos dhe në seancë u dëgjua edhe Enver Berisha, drejtor i këtij operatori.

Të dy dëshmitarët deklaruan se u është kërkuar ryshfet në mënyrë që të mos publikohen në webfaqen e KPM-së të dhënat se operatori Telkos nuk ka deklaruar mbulueshmërinë e rrjetit nëpër territorin e Kosovës.

Ata deklaruan se kanë qenë nën presion nga Arben Bilali, ish-drejtor i Administratës dhe Financave në KPM, njëkohësisht i akuzuar në këtë rast mirëpo ka pranuar fajësinë.

Sipas dëshmitarëve Bilali i’u ka bërë të ditur se nëse nuk paguajnë shumën e caktuar mbi 20 mijë euro do të publikohen në webfaqe të KPM-së të dhënat dhe do të bie reputacioni i Telkosit nga mediat e tjera.

“Nëse nuk i sjellni paratë deri të premten duhet me u bo raportin në Komisionin parlamentar në KPM dhe tërë ndryshimet në raporte publikohen në webfaqen e KPM, dhe mendone si do ta përballoni ju në media që nuk e keni raportu mbulueshmërinë e rrjetit” – tha dëshmitari Enver Berisha se i ka thënë Arben Bilalli në takim.

I pyetur nga trupi gjykues dëshmitari deklaron se paratë e kërkuara nga Arben Bilalli gjithmonë janë kërkuar për Luan Latifin.

“Arbeni gjithmonë ka potencu që paratë që po kërkohen, po i kërkon Luan Latifi, asnjëherë nuk ka thënë se ka me i nda me të” – tha dëshmitari Enver Berisha.

Ai deklaron se ish i akuzuari Bilalli dhe tani i akuzuari Luan Latifi, si zyrtar të KPM-së kanë pretenduar se operatori Telkos nuk ka deklaruar mbulueshmërinë e rrjetit të tyre në Prizren prandaj edhe nuk kanë paguar taksën, kështu ju ka mbetur 15 mijë euro taksë për vitin 2020 dhe 7 mijë euro taksë për gjysmën e vitit 2021.

Dëshmitari deklaroi se këto para janë kërkuar në një afat të shkurtër kohor, pra gjithsej 20-25 mijë euro.

“Nuk është mbet saktë shuma që duhet të sillet, vetëm se Arbeni ka thënë sillni sa të mundeni diku 20-25 mijë, që me e rahatu Luanin” – tha dëshmitari Enver Berisha.

Avokati mbrojtës i Luan Latifit, në seancë kërkoi që të dëgjohej në cilësinë  e dëshmitarit edhe ish i akuzuari Arben Bilalli, për këtë gjykata do të vendos në seancat e ardhshme.

Gjithashtu prokuroria paraqiti edhe provat që do të administrohen e ndër to përmendi audio-incizimet e bëra nga Elhami Haziri në takimet me të akuzuarit dhe fotoalbumet policisë të parave, saktësisht 8 mijë eurove që Elhami Haziri i’a ka dhënë ish të akuzuarit Arben Bilalli.

Kujtojmë se Luan Latifit i është shqiptuar masa e paraburgimit për 30 ditë, e pas përfundimit të kësaj mase i është caktuar arrest shtëpiak për dy muaj, masë kjo që nuk i është vazhduar më tutje.

Për këtë rast i akuzuar ka qenë edhe Arben Bilalli, ish-drejtor i Administratës dhe Financave në Komisionin e Pavarur të Mediave. Ai është gjetur fajtor për vepër penale, marrja e ryshfetit dhe është dënuar me 140 ditë burgim dhe 12 mijë euro gjobë.

Bilalli kishte pranuar fajësinë ndërsa Latifi ishte deklaruar i pafajshëm, ku pastaj ishte veçuar procedura ndaj Bilallit.

Gjykata i ka shqiptuar Bilallit edhe dënimin plotësues, ndalimin e ushtrimit të funksioneve publike, në administratës publike ose shërbimin publik në kohëzgjatje prej 3 vite.

Sipas aktakuzës Latifi në cilësinë e kryeshefit të Komisionit të Pavarur për Media dhe Arben Bilalli, si drejtor i Administratës dhe Financave në KPM, kanë kërkuar dhe marrë ryshfet shumën prej 8 mijë euro nga i dëmtuari Elhami Haziri, pronar i kompanisë “TelKos”.

Dosja e prokurorisë tregon se si ryshfeti ishte pranuar nga ana e të akuzuarve me qëllim që kompanisë “TelKos”, të mos i shqiptohet gjobë për shkak se ajo kishte bërë shkelje ligjore duke bërë shtrirje të rrjetit në disa vende për të cilat nuk e kishte njoftuar KPM-në.

Sipas aktakuzës, Bilalli më 24 qershor 2021, ishte takuar në zyrën e tij me pronarët e kësaj kompanie, Elhami Haziri, Enver Berisha dhe Ymer Kurtolli, të cilëve iu kishte kërkuar 20 mijë euro ryshfet, duke deklaruar se këtë shumë të parave po e kërkonte i akuzuari Latifi.

Ndërsa, pasi i dëmtuari Haziri i kishte thënë që nuk e kishte këtë shumë, të njëjtit kishin arritur të merren vesh që për fillim të japin 10 mijë euro, ku në atë moment, i akuzuari Bilalli sipas prokurorisë i kishte shkruar të akuzuari Latifi “nuk po lëshon veç 10”, dhe më pas më 29 qershor 2021, i akuzuari Bilalli ishte takuar me të dëmtuarin Haziri.

Sipas prokurorisë, të dy ishin takuar në restorant “Garden”, në Gjilan, dhe pasi i dëmtuari Haziri i kishte dhënë 8 mijë euro, kishte kërkuar nga i akuzuari Bilalli të kontaktojë të akuzuarin Latifi për t`u bindur se ky i fundit e kishte marrë vesh se paratë janë dhënë.

Prokuroria tutje pretendon se duke u zbatuar masat e fshehta dhe nën vëzhgim të policisë, i akuzuari Bilalli në prezencë të të dëmtuarit Haziri i kishte telefonuar të akuzuarit Latifi duke i thënë “kreva punë dhe tash po eci”.

Sipas aktakuzës, Bilalli shumën prej 8 mijë euro e kishte pranuar në një zarf dhe ishte nisur në drejtim të Prishtinës, ku rrugës ishte ndaluar nga policia të cilët ia kishin gjetur shumën prej 8 mijë euro.