Foto: Florinda Kelmendi/ KALLXO.com
Pretendimet se policë e qytetarë shqiptarë po ngacmojnë seksualisht gra serbe, institucionet e Kosovës kërkojnë bashkëpunim për të luftuar dukuri të tilla
Përfaqësues serbë të shoqërisë civile në Mitrovicë të Veriut po pretendojnë se zyrtarë të Policisë së Kosovës e qytetarë të nacionalietit shqiptar po ngacmojnë seksualisht gra edhe vajza të komunitetit serb.
Tema e “ngacmimeve seksuale” u diskutua në tryezën e rrumbullakët të organizuar nga organizata joqeveritare “EDU Task” më 26.11.2024 në “Diakonie Youth Center” në Mitrovicë të Jugut.
Në këtë diskutim morën pjesë përfaqësues të shoqërisë civile nga komuniteti serb, përfaqësues të lagjeve në Mitrovicë të Jugut, zyrtarë të Drejtorisë Rajonale Mitrovicë- Veri të Policisë së Kosovës, si dhe zyrtarë nga Inspektorati Policor i Kosovës.
Sërxhan Simonoviq nga OJQ “Aktiv” filloi diskutimin duke thënë se gratë që janë prekur nga kjo dukuri hezituan të vijnë në diskutimin e sotëm. Tutje ai shprehu mosbesimin që ka ndaj Policisë së Kosovës.
“Ekziston një grup i grave në veri (joformale) që kanë pasë një përvojë të tillë. Po më vjen me të vërtetë keq që jemi veç pjesa që s’jemi drejtpërdrejt të përfshirë. Është frika të vijnë të Mitrovicë të Jugut dhe të paraqiten publikisht. Më vjen keq që po them mirëpo frikësohen nga Policia. Nuk kemi qenë të sigurt nëse dikush nga Inspektorati do të jetë aty. Më vjen keq që s’do t’i dëgjoni deklaratat në vetën e parë. Është mosbesimi në punën e Policisë i cili prapë duhet të kthehet. Kemi vërejtur OJQ-të dhe agjencitë, kemi pasë një besim ndaj “Policisë në Komunitet”- tha aktivisti.
Se nuk i beson Policisë së Kosovës e thotë edhe Olivera Millosheviq nga shoqata “Doracaku”, e cila shprehet se po frikësohet të japë opinione sepse sipas saj mund të arrestohet nga zyrtarët policorë që janë në sallë.
“Unë po qëndroj me vite me policët që janë me uniformë. Mirëpo ato gra janë të reja dhe s’janë mësuar me këtë gjë. Ekziston një lloj doze frike. Është mungesa e besimit. Pas disa publikimeve në Facebook njerëzit arrestohen dhe ftohen për intervistë. Ekziston problemi që qytetarët nuk kanë besim në Polici. Unë s’po mundem as me folë se po them mos po arrestohem. Unë e njoh qytetin qe 30 vjet edhe kurrë s’ka pasë ngacmime seksuale. Edhe tash brenda një viti janë kriju një grup i cili po bën gjëra të tilla”- u shpreh Millosheviq.
Ramadan Beshiri, kryetar i Këshillit të Lagjes “Ilirida” të Mitrovicës së Jugut, u shpreh se komuniteti serb dhe ai shqiptar e përbëjnë një grup të përbashkët dhe se etiketimet “komuniteti serb” e “komuniteti shqiptar” duhet të hiqen.
“Është një grup i përbashkët nga të dyja komunitetet. Ideja është që ta zgjidhim problemin së bashku. Kur ishin vërshimet në “Lagjen e Boshnjakëve” nuk kishte dallim komunitetesh, të gjithë i ndihmonim njëri-tjetrit. E kanë gjujtë me gurë veturën time në Jarinjë, unë kam thënë disa fëmijë, nuk i kam etiketu ‘komuniteti serb’. Nëse ka ndodhë ngacmime nga shqiptarët, them fuqishëm se do të luftoj kundër ngacmimeve seksuale të çdo komuniteti”- tha Beshiri.
Isak Hajra, kryetari i fshatit Broboniq të Mitrovicës së Jugut kërkon nga legjislativi ashpërsimin e masave për personat të cilët ngacmojnë gra dhe vajza seksualisht.
“Masa parandaluese do të ishte ndonjë ligj më i fortë. Mendoj se ligji duhet me u ashpërsu për këto dukuri. Ka raste se në jug janë liru e pas 5-6 muajsh kanë kry krime më të randa”- theksoi Hajra.
E Asllan Vitaku, përfaqëues i lagjes “Qendra” dhe Lagjes së Romëve, shprehet falënderues ndaj punës së Policisë së Kosovës dhe thotë se rastet e tilla si ngacmimet seksuale duhet të parandalohen duke u ngritur si çështje që në bankat shkollore.
“Policia po mundohet me i zvogëlu këto raste. Edukimi duhet të jetë në shkolla që të zvogëlohen rastet”- tha ai.
Zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonale Mitrovicë- Veri të Policisë së Kosovës, Veton Elshani, thotë se Policia e Kosovës nuk toleron raste të tilla mirëpo, sipas tij, prej 330 policëve në veri ka mundësi që mund të ketë ndonjë prej tyre që bën ngacmim.
“Kjo ka të bëjë me etikën e Policisë. Neve nuk na konvenon kjo me ndodhë, nuk do të thotë se nuk ndodhin sepse mundet me pasë ndonjë rast. Shumicën e policëve që i kam pranu janë policë të rinj, jo të rinj veç në profesion por të rinj edhe në moshë. Edhe unë nuk e përjashtoj një rast të tillë. Pyetjet e gazetarëve që unë i kam pranu në një rast polici e ka bërë një ngacmim se kur ka shku qytetarja në Jarinjë ia ka dhënë dokumentin policit kufitar e polici kufitar ia ka lypë numrin e telefonit. Tash ky është ngacmim. Unë s’po them që kjo nuk ka ndodhur po ajo duhet më lajmëru rastin menjëherë te eprori i policit”- tha Elshani.
Elshani shtoi se e brengos fakti se kur ka ngacmime seksuale dhe paraqiten në media, dalin te shoqëritë civile, e jo në Polici. Sipas Elshanit, të dyja komunitetet në veri të vendit trajtohen njësoj.
“Mua në asnjë moment nuk më konvenon me trajtu serbin si serb, me përdor forcë pse është serb, me i shqiptu tiketë ose me e nda në bazë të gjinisë apo etnisë. Nëse nuk e kemi dëshmu punën tonë që dy vite e gjysmë atëherë nuk e di kur kemi me e dëshmu. Ne jemi 330 policë sot, në vitin 2022 në të njejtën periudhë kanë qenë 510, shumica kanë qenë serbë. Ne kemi më shumë raste tash të paraqitura sesa atëherë kur shumica kanë qenë serbë. Dhe kjo tregon besueshmëri se njërëzit e dinë se tash nëse ke dhunë në familje, gruaja vjen e lajmëron burrin, burri do të shkojë në burg, nuk e di qysh është bërë më herët por ne e kryjmë punën tonë”- u shpreh zëvendësdrejtori Elshani.
Elshani tregoi se tash Policia ka filluar ta ketë “policin e lagjes” dhe se brenda javës do të kryhen pajisja me ID karta dhe lagjet do të dinë se kush është polici i lagjes, në mënyrë që qytetarët të raportojnë tek ai çdo rast.
Ai shprehet i gatshëm për adresimin nga Policia të çdo propozimi që ka shoqëria civile.
Zyrtari i Inspektoratit Policor, Arben Vrajolli, foli për bashkëpunimin me Drejtorinë Rajonale Mitrovicë- Veri të Policisë së Kosovës si dhe thekson se këto shqetësime duhet t’i luftojmë të gjithë së bashku.
“Secili nga ne e ka për detyrë të kontribuojmë së bashku në mënyrë që çdo fenomen që ngritet në aspektin e sigurisë të punojmë së bashku në mënyrë që ta adresojmë në vendin e duhur. Jemi partner me policinë në veri ashtu siç jemi partnerë me juve, edhe Vetoni edhe ne synojmë të jemi partnerë të gjithë së bashku. Është e vetmja mënyrë që çfarëdo fenomeni ta luftojmë në mënyrën më të mirë e më të sukseshme”- tha Vrajolli.
Tutje ai bëri thirrje që për raste të tilla dhe për çkado që i shqetëson këto gra ta raportojnë rastin përmes “Linjës së kaltër”, faqes zyrtare , në zyrën më të afërt të Policisë së Kosovës ose drejtpërdrejt në Inspektorat Policor. Gjithashtu edhe në rrjete sociale, nëse sipas tij ndihet e kërcënuar. Ai përfundoi se denoncuesja i ka të gjitha instrumentet me plasu pa ndonjë pasojë.
Petar Petkoviq e ka bërë një deklaratë të tillë, siç raporton portali i televizionit publik serb, pas takimit me homologun e tij kosovar, Besnik Bislimin, dhe të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, në Bruksel, më 24.10.2024.
“Biseduam për terrorin e Albin Kurtit dhe spastrimin etnik që Qeveria në Prishtinë po e bën ndaj serbëve. Ne theksuam rastet e shpeshtuara të ngacmimit seksual ndaj grave serbe nga ana e shqiptarëve. Dëshmitë e këtyre grave i ka marrë KFOR-i dhe të gjitha organizatat e tjera ndërkombëtare nga të cilat kërkojmë që të ndalet ngacmimi i grave serbe”- citohet të ketë thënë Petkoviq.
Lidhur me këto deklarata, KALLXO.com ka kontaktuar Policinë e Kosovës dhe KFOR-in.
Policia e Kosovës kishte hedhur poshtë akuzat e Petar Petkoviqit.
Drejtoria Rajonale Mitrovicë – Veri e Policisë së Kosovës ka bërë të ditur për KALLXO.com se gjatë këtij viti janë regjistruar dhjetë raste të ngacmimeve seksuale në veriun e vendit.
Të dyshuar, sipas Policisë, janë tetë persona të nacionalitetit serb, ndërsa për dy rastet e tjera nuk dihet nacionaliteti i të dyshuarve.
KALLXO.com e ka pyetur edhe KFOR-in nëse ka pranuar ankesa për rastet që i ka përmendur Petkoviq.
Në përgjigje thuhet se përfaqësuesit e KFOR-it u takuan në gusht me një delegacion të grave nga veriu i Kosovës për të dëgjuar shqetësimet e tyre.