Pretendimet se disa lojtarë u kanosën nga Agim Ademi, autorizohet Policia për të grumbulluar informacione
Policia e Kosovës është autorizuar që të mbledhë informacione lidhur me disa raportimet se kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, i ka kanosur disa lojtarë të Përfaqësueses së Kosovës në futboll.
Kështu është konfirmuar për KALLXO.com nga ana e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
“Pas publikimit në gazetat-portalet online se kryetari i FFK-së Agim Ademi, i ka kanosur disa lojtarë të Përfaqësueses së Kosovës në futboll, ka autorizuar Policinë e Kosovës për të ndërmarr veprime për grumbullim të informatave dhe provave në këtë rast” – tha Prokuroria.
Tutje u shtua se pas pranimit të një raporti nga Policia e Kosovës, prokurori i shtetit do të vendos se a do të filloj hetime apo jo për këtë rast.
Gjatë javëve të fundit në media kanë qarkulluar raportime se Ademi ka kanosur disa lojtar të Përfaqësueses së Kosovës në futboll.
Supozimet janë se kanosja është bërë gjatë kohës sa tre futbollistët: Arjanet Muriq, Edon Zhegrova dhe Florent Muslija janë larguar nga grumbullimi i ekipit kombëtar.
Këta të fundit sipas FFK-së u larguan nga grumbullimi për shkak të thyerjes së rregullores së ekipit kombëtar të vendosur nga përzgjedhësi dhe Federata.