Foto: KALLXO.com

Pretendimet e Prokurorisë për dallavere lidhur me shkëputjen e kontratës për punimet në kullën e Marecit, dështon seanca

Në Gjykatën e Prishtinës më 18.11.2024 ka dështuar të mbahet seanca gjyqësore në rastin e të akuzuarve Egzon Zariqi dhe Rexhep Morina.

Seanca dështoi të mbahet për shkak të mungesës së të akuzuarit Rexhep Morina.

Lidhur me mungesën e të akuzuarit Morina, mbrojtësi i tij, avokati Bekim Kafexholli, deklaroi se nuk është në dijeni për mosprezencën e të mbrojturit të tij në seancë dhe shtoi se ka tentuar ta kontaktojë në telefon por nuk i është përgjigjur.

Tutje, gjyqtari Avni Syla njoftoi se në mungesë të kushteve ligjore seanca nuk mund të mbahet dhe njoftoi se për të akuzuarin Rexhep Morina Gjykata do të lëshojë urdhëresë për sjellje me detyrim.

I akuzuari Egzon Zariqi akuzohet se ka keqpërdorur pozitën zyrtare në cilësinë e zëvendësdrejtorit të prokurimit në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ndërsa i akuzuari Rexhep Morina akuzohet se në cilësinë e menaxherit të kompanisë “AREA” SH.P.K. ka vepruar në kundërshtim me standardet profesionale dhe në kundërshtim me kushtet e kontratës ne rastin e punimeve në fshatin Marec.

Ndryshe, në këtë seancë ishte paraparë të dëgjoheshin dëshmitarë.

Trupi gjykues në këtë çështje penale është i përbërë nga Avni Syla kryetar dhe anëtarët Sulltane Hoti dhe Alban Ajvazi.

Ndërsa aktakuza përfaqësohet nga prokurori Zef Prendrecaj.

Çfarë thotë aktakuza?

Sipas aktakuzës të datës 03.11.2023, Egzon Zariqi akuzohet se ka keqpërdorur pozitën zyrtare më 08.07.2022 në cilësinë e zëvendësdrejtorit të prokurimit në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Sipas Prokurorisë, i njëjti më 08.07.2022 ka shkëputur kontratën e lidhur me operatorin ekonomik “AREA” SH.P.K. për ndërtimin e kullës muze në fshatin Marec të komunës së Prishtinës ndonëse ka qenë i njoftuar se Ministria ka kryer me kohë të gjitha pagesat për punimet që i ka realizuar.

Këto punime që janë zhvilluar, sipas dosjes së Prokurorisë, kanë rezultuar me dëme dhe jashtë standardeve profesionale.

Pas kësaj, operatori ekonomik i ka ndërprerë njëanshëm punimet duke mos bërë sanimin e tyre, duke rezultuar me mospërmbushjen e kontratës në mënyrë të njëanshme.

Deri te zgjidhja e kontratës i pandehuri Egzon Zariqi thirret në kushtet e veçanta të kontratës, tek pjesa ku thuhet zgjidhja miqësore e mosmarrëveshjes duke marrë vendim që të heqë dorë nga ankesa dhe lëshimi i referencave negative për operatorin “AREA” SH.P.K.

Kështu nga ndërprerja e kontratës është dëmtuar buxheti i shtetit në vlerë prej 30 mijë euro.

Në këtë aktakuzë i akuzuar është edhe Rexhep Morina për punime ndërtimore në mënyrë të kundërligjshme.

Morina akuzohet në cilësinë e menaxherit të kompanisë “AREA” SH.P.K. nga periudha kohore korrik 2020 e deri më 23.10.2020 ka vepruar në kundërshtim me standardet profesionale dhe në kundërshtim me kushtet e kontratës ne rastin e punimeve në fshatin Marec.

Punimet jocilësore lidhur me këtë kullë sipas Prokurorisë ishin realizuar nga Morina në kundërshtim me kontratën e lidhur me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.