Foto: Kuvendi i Kosovës

Pretendimet e ish-gjyqtarit Malcolm Simmons për korrupsion dhe ndikime brenda EULEX-it - LIVE

Malcolm Simmons, ish-kryetar i Asamblesë së Gjyqtarëve në misionin e Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX) po mban takim online në Komisionin Parlamentar të Kosovës për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit.

Simmons deklaroi para deputetëve kosovarë se Bashkimi Evropian nuk i ka mohuar asnjëherë akuzat e tij për korrupsion në EULEX.

“BE-ja kurrë si ka mohuar akuzat e mia për korrupsion, në vend të kësaj ata janë përgjigjur duke bërë sulme personale. I ftoj EULEX-in dhe BE-në që të bashkëpunojnë me hulumtimin tuaj sa i përket këtyre çështjeve”, tha ai.

Sipas tij kishte objektiva politike të misionit në marrëdhëniet e bashkësisë ndërkombëtare me Serbinë dhe shtyerja përpara e qëllimti të BE-së që dialogu mes Prishtinës dhe Beogardit të bëhej prioritet.

Ish-gjyqtari tha se EULEX nuk ishte mision i qeverisjes së drejtësisë, “por një mision politik”.

“Kur jam bërë kryetar i Komisionit të gjykatësve të EULEX-it e kam parë që shumë pak po bëhet për të hulumtuar raste kundër të akuzuarve me prejardhje serbe. Shume të akuzuar kanë ikur përtej kufirit, pse këta nuk kanë dalë para gjykatës ndërkombëtare, siç janë Dhomat e Specializuara të Kosovës?”, tha ai.

Në lidhje me këto pretendime të Simmons, KALLXO.com ka dërguar pyetje në Zyrën e BE-së në Kosovë dhe në EULEX, dhe është në pritje të përgjigjes së tyre.

Në qershor të këtij viti, Simmons i kishte shkruar letër të hapur kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Në këtë letër, Simmons kishte theksuar se ka 3 muaj që ka kërkuar të raportojë në Kuvend për “skandalet dhe gjykimet e padrejta nga EULEX”.