Dafina Alishani FOTO-Facebook/Dafina Alishani

Pretendimet e asamblistes së LVV-së për kërcënim, ende asnjë vendim nga organet e drejtësisë

Dafina Alishani, asambliste e Vetëvendosjes në Komunën e Prizrenit pretendon se është kërcënuar nga bashkëshorti i një përfitueseje të shfrytëzimit të një lokali në pronësi të Komunës së Prizrenit.

Alishani, çështjen e shfrytëzimit të këtij lokali e ka ngritur në emisionin “Jeta në Komunë”, ndërsa sipas saj menjëherë pas emisionit është kërcënuar.

Gjatë emisionit, asamblistja e Vetëvendosjes e ka pyetur kryetarin e komunës për shfrytëzimin e lokalit, i cili është marrë në shfrytëzim me pretendimin se do të punësohen gra dhe do të menaxhohet nga gratë.

Sipas saj, ky lokal as nuk ka punësuar gra dhe as nuk menaxhohet nga ndonjë grua.

KALLXO.com më pas e ka intervistuar Alishanin rreth pretendimeve dhe e njëjta ka deklaruar se kjo gjë i ka ndodhur për herë të parë që nga koha që është zgjedhur asambliste në Kuvendin Komunal të Prizrenit.

“Nuk ka qenë pronari i lokalit por bashkëshorti i një prej përfitueseve të lokalit që më ka kontaktu. Është hera e parë që marr një telefonatë të tillë brenda tre viteve si asambliste, ka qenë shokuese dhe e pakuptimtë sepse ky rast i dhënies së pronave komunale është në gjykatë dhe se ku e gjeti këtë guxim me më kontaktu dhe me cënu të drejtën time të ngritjes së një çështjeje si në asamble ashtu edhe në televizion, kjo më brengosi dhe më frikësoi të jem e sinqertë”, tha ajo.

Alishani thotë se kjo çështje duhet të shkojë deri në fund, duhet të shikohet se çka po bëhet me pronat komunale të dhëna për shfrytëzim, nga kush po shfrytëzohen dhe të monitorohen nga Komuna e Prizrenit.

“Kriteret janë votuar në asamble, vet ne asamblistët i kemi votuar që të dalin në ankand këto prona komunale. Për të pasur mbikëqyrje i kemi pasur edhe dy komisione të formuara, që ka qenë komisioni i vlerësimit i përbërë prej anëtarëve të partive politike si dhe komisioni i ankesave i cili ka qenë mbikëqyrës i këtij komisionit tjetër. Të dyja komisionet kanë shkuar me rekomandime të njëjtë që gjatë poentimit ka pasur padrejtësi në poentim apo diskriminim”, shton Alishani.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe shfrytëzuesit e tanishëm të lokalit.

Të njëjtit nuk kanë pranuar të deklarohen para kamerës së KALLXO.com, por kanë dhënë deklaratë prapa kamerës.

Gëzim Sallahuka, bashkëshorti i Fatmire Berishës, shfrytëzuese e  tanishme e lokalit “Minimale” ka thënë se nuk e ka kërcënuar asamblisten Alishani dhe se është i gatshëm t’u përgjigjet forcave të rendit nëse e thërrasin.

Gjithashtu Sallauka ka thënë se po e pret zbardhjen e bisedës në mënyrë që të dihet publikisht nëse ka qenë kërcënim ose jo.

“Dafina Alishani në emisionin tuaj ka shpifur që Fatmire Berisha nuk e shfrytëzon lokalin në sheshin Shadërvan edhe unë e kam thirr të nesërmen sepse e njoh Dafinën dhe i kam thënë: Dafinë, pse ke shpif kur nuk është e vërtetë?. Ajo e din vet që gruaja ime e shfrytëzon dhe e ka pranuar vet që ka shpifur. Më ka thënë ‘po kam shpif, por edhe ju keni shpif në plan të biznesit’. Unë nuk e kam kërcënuar, mezi pres me më thirr policia, me u publiku komplet detajet e bisedës, jam i hapur me drejtësinë dhe mezi pres me më thirr”, ka thënë Sallauka për KALLXO.com.

Në anën tjetër, Zëdhënësi i Policisë së Kosovës në rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi, ka thënë se pas provave të paraqitura nga asamblistja Alishani, policia në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit nuk kanë gjetur elemente të kanosjes, shantazhit apo ndonjë vepre tjetër.

Policia e Kosovës gjatë trajtimit të rastit i është referuar vetëm një mesazhi, të cilin e ka marrë Alishani, ndërsa jo thirrjes telefonike të cilën Alishani pretendon se e ka marrë para mesazhit, të cilin e ka trajtuar Policia e Kosovës.

“Dafina e ka raportuar rastin, ka qenë në stacion policor në Prizren. Rasti është trajtuar në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit. Nga ajo se çfarë ka dëshmuar ajo, në mesazhin që i ka shkuar, nuk ka pasur elemente për inicimin e ndonjë procedure të mëtutjeshme. Është kontaktuar menjëherë prokurori për krimet e përgjithshme dhe i është komunikuar dhe argumentuar ai mesazh që e ka pasur në telefonin e saj. Nuk ka elemente të mëtutjeshme as të kanosjes, as të shantazhit as të ndonjë vepre tjetër”, ka thënë zëdhënësi Gashi për KALLXO.com.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe Prokurorinë Themelore në Prizren në lidhje me rastin të cilët kanë deklaruar se nuk kanë ndonjë kallëzim penal në lidhje me rastin.

“Ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prizren nuk ka pranuar kallëzim penal në lidhje me rastin të cilit ju po i referoheni. Në lidhje me pyetjen tuaj, j’u njoftoj se për rastin në fjalë, Prokuroria Themelore në Prizren, ka pranuar një Raport të Veçantë nga Policia e Kosovës, në të cilin përshkruhen pretendimet e të dëmtuarës, mirëpo ende është në fazën e hershme të trajtimit, andaj ende nuk është marrë ndonjë vendim rreth këtij rasti”, thuhet në përgjigjen e prokurorisë.

Levent Kasëmi, ish drejtor i Shërbimeve Publike dhe Fejzë Kabashi, ish-drejtor i Mirëqenies Sociale, ish drejtori i Gjeodezisë dhe Kadastrës Refik Shaqiri në Komunën e Prizrenit po akuzohen se kanë keqpërdorur detyrën derisa ishin anëtarë të Komisionit për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të Komunës së Prizrenit.

Gjithashtu të akuzuar janë edhe asamblistja nga Nisma Socialdemokrate, Ganimete Babuna dhe Ares Shporta, drejtor i Fondacionit “Lumbardhi”, i cili ka qenë anëtarë i shoqërisë civile në Komision.

Sipas Prokurorisë që të gjithë të akuzuarit me dashje e kanë shkelur kriterin e vetëm të ankandit publik dhe Ligjin për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të Komunës.

“Përzgjedhja e fituesit bëhet në bazë të një kriteri dhe atë të çmimit më të lartë të ofruar, duke favorizuar ofertuesen F.B. në dëm të të dëmtuarit Albert Doqi i cili nuk është përzgjedhur si përfitues i ankandit edhe përkundër faktit se i dëmtuari kishte kuotuar me çmim më të lartë”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë.

Albert Doçi, shfrytëzues i mëparshëm i lokalit të njëjtë ka thënë për KALLXO.com se ndonëse ka pasur çmimin më të lartë në ankandin publik, nuk është zgjedhur përfitues për shfrytëzimin e pronës komunale të Komunës së Prizrenit.

“Ka qenë ankandi publik në dhjetor të vitit të vitit 2018, më saktësisht me 26 dhjetor ne e kemi pasur hapjen e ankandit ku kam qenë prezent. Në hapjen e ankandit publik është bërë vetëm shikimi i çmimit atëherë kur kemi qenë ne prezent dhe sigurimi i ofertës. Me çmim unë kam dalë më i larti për atë lokal. Më pas me 17 janar është bërë shpallja e fituesve ku unë nuk e kam pa veten aty”, ka deklaruar Doçi.

Doçi thotë se menjëherë më pas ka bërë ankesë në komisionin e ankesave. Sipas tij, ankesa e tij është aprovuar dhe kanë rekomanduar rishqyrtimin.

Doçi thotë se po ashtu se një lokal 26 metra katrorë nuk mund të punësojë 10 gra dhe se nuk e ka parë të arsyeshme ta përmbushë atë pikë

KALLXO.com ka kërkuar qasje në dokumentacionin e të gjitha lokaleve të cilat janë dhënë me qira në të njëjtën formë dhe aktualisht është në pritje të lejimit të qasjes.