Gjykimi ndaj Shaban Gogajt - 31.01.2022 - FOTO KALLXO.com

Pretendime për kanosje e tensione në gjykimin e Shaban Gogajt

Avokati i caktuar nga Gjykata, Liridon Tafa, ka liruar sot sallën e gjykimit pasi, sipas tij, ishte kanosur nga i mbrojturi i tij, Shaban Gogaj.

Tafa në shkresën që i ka drejtuar Gjykatës, ka treguar se Gogaj e ka kanosur pasi ai ka pranuar ta mbrojë atë në sallë të gjykimit.

“Se atë ditë nuk kam dashtë me ju nxjerre telashe babës tem dhe mixhës, se ty kush tka dërgu aty dhe ske qka lypë më, me m’perfaqesu mu. Në momentin kur kam filluar me i shpjeguar arsyet e mia si mbrojtësi i juaj, ai me ka ndërpre dhe me ka thënë ti e hajde paqë …. me ardh në seancë, e sheh!” – ka deklaruar avokati se është kanosur nga Shaban Gogaj.

Në këto rrethana mbrojtësi sot në seancë gjyqësore ka deklaruar se nuk është i gatshëm të vazhdojë më si mbrojtës pasi ndihet i frikësuar dhe i kanosur.

“Dhe duke pasur parasysh rrethanat e krijuara unë si mbrojtës në gatishmëri nuk mundem me qenë objektiv” – ka thënë ndër të tjera avokati në seancë kur e ka liruar sallën.

Ndërsa i akuzuari Shaban Gogaj deklaroi se nuk e ka kanosur porse i ka thënë ‘hajde me marrë lëndën, fjalën e kam pasë që në qofsh i zoti hajde merre lëndën e kryeje’.

Në këto rrethana seanca është shtyre për datën 13 shtator.

https://kallxo.com/lajm/shaban-gogaj-nuk-e-pranon-perseri-avokatin-e-caktuar-nga-gjykata/

Procesi gjyqësor i Shaban Gogajt është bllokuar prej momentin kur avokati Besnik Berisha ishte përjashtuar nga e drejta për mbrojtje në këtë çështje penale.

Ndërsa ende nuk po arrihet të krijohen kushtet për seancë pasi nuk po arrihet të sigurohet mbrojtja e Gogajt, gjersa ky i fundit ka deklaruar se nuk e dëshiron një mbrojtës tjetër përveç avokatit Besnik Berisha.

Gogaj po mbahet në paraburgim prej ditës kur ka ndodhur vrasja e Agonis Tetajt.

Sipas aktakuzës se Prokurorisë, më 23 shtator të vitit 2021, në kompaninë “Gogaj AG”, Shaban Gogaj mori një telefonatë nga një person tjetër, e cila në aktakuzë është cilësuar si dëshmitare, nga e cila bisedë më pas shihet se është acaruar.

Tutje, aktakuza sqaron se i ndjeri Agonis Tetaj ishte larguar menjëherë në drejtim të stogjeve përballë tij për gati 5 metra, ndërsa bashkë me të u larguan edhe dy dëshmitarët e rastit A. H. dhe F. Z.

Sipas dosjes së Prokurorisë, me të përfunduar bisedën, Shaban Gogaj, nga karrigia e anës së majtë të banakut kaloi në karrigen tjetër e cila gjendej në mes të banakut dhe nga sirtari nxori revolen e tij të tipit “Beretta”, e vendosi karikatorin dhe e mori në shenjë të ndjerin Agonis Tetaj në kokë, duke e vrarë.

Viktima ishte punëtor në lokalin e të akuzuarit.

Të gjitha raportimet e KALLXO lidhur më këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.