Presioni i qytetarëve, anulohet pëlqimi për ndërtimin e fabrikës së çimentos në Klinë

Komuna e Klinës e ka anuluar pëlqimin për ndërtimin e fabrikës se çimentos që po planifikohet të ndërtohet në lokalitetin arkeologjik të Dresnikut të Klinës.

Licencimi i fabrikës ka qenë në proces e sipër pranë Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale dhe pëlqimi ishte dhënë nga Komuna e Klinës.

Banorët e komunës së Klinës, e në veçanti ata të fshatit Gremnik, po e kundërshtojnë ndërtimin e kësaj fabrike, për çka është nënshkruar edhe një peticion.

KALLXO.com kishte kontaktuar me kryetarin e Klinës, Zenun Elezaj, i cili kishte deklaruar se pëlqimi është vetëm një parakusht për licencim dhe se pëlqimi është dhënë “sepse ka qenë në përputhje me rregullativën për zhvillim ekonomik të Komunës”.

Sot, Kuvendi i Komunës ka mbajtur seancë të jashtëzakonshme për të shqyrtuar peticionin e qytetarëve për refuzimin e ndërtimit të fabrikës së çimentos.

Sipas një njoftimi të kryetarit të Klinës, Zenun Elezaj, sot në këtë seancë të jashtëzakonshme, ku të pranishëm ishin edhe shumë qytetarë të Klinës, të cilët janë njoftuar se Komuna ka lëshuar pëlqim në harmoni me Planin Zhvillimor Komunal vetëm për rregullimin e dokumentacionit e jo për fillimin e veprimtarisë dhe se pëlqime të tilla janë lëshuar edhe në të kaluarën.

“Por asnjë pëlqim nga kushdo qoftë nuk është më i fuqishëm e i rëndësishëm se pëlqimi i qytetarëve”, thuhet në njoftimin e kryetarit të Klinës.

Në seancë është marrë vendim për anulimin e të gjitha pëlqimeve dhe dokumenteve tjera urbanistike që janë dhënë lidhur me guroret për furnizim me lëndë të parë për fabrikën e çimentos.

Qytetarët kundër ndërtimit të fabrikës së çimentos në Dresnik të Klinës