Presidentja Vjosa Osmani uron për 28 Nëntorin: Kjo datë ka shumë peshë historike

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar shqiptarët për 109-vjetorin pavarësisë së Shqipërisë.

Osmani ka thënë se kjo datë ka shumë peshë historike dhe se ditëlindja e komandantit legjendar Adem Jashari dhe paraqitja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për herë të parë publikisht i japin edhe më shumë kuptim nëntorit.

“Në këtë ditë ka lindur komandanti legjendar Adem Jashari dhe po në këtë ditë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës u paraqit për herë të parë publikisht. Të dy këto ngjarje i japin edhe më shumë kuptim nëntorit, sepse bartin në vete frymën e lirisë, idealin e brezave që nga Skënderbeu, Ismail Qemajli, Isa Boletini e shumë patriotë të tjerë”, ka thënë Osmani.

Osmani ka shtuar se Kosova do të vazhdojë të jetë krah Shqipërisë në të mirë të interesit të përbashkët, duke thelluar më tej lidhjet tona ndërmjet motrave e vëllezërve, sikurse edhe ato strategjike.