Vjosa Osmani - Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

Presidentja Vjosa Osmani udhëton për vizitë zyrtare në Bullgari

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë të homologut të saj, Rumen Radev, ka udhëtuar për vizitë dyditore zyrtare në Bullgari.

Përveç takimit kokë më kokë me presidentin Radev, Osmani do ta zhvillojë edhe një takim bilateral dhe më pas do ta kenë një konferencë të përbashkët për media, ka njoftuar Presidenca e Kosovës.

Në një ceremoni të veçantë, të organizuar nga kryetarja e kryeqytetit bullgar, Yordanka Fandakova, presidentes Osmani do t’i dhurohet Çelësi i Sofjes.

Tutje thuhet se Osmani do të takohet me kryetarin e Parlamentit të Bullgarisë, Vezhdi Romanov dhe do të marrë pjesë në darkën zyrtare presidenciale të shtruar nga presidenti Radev.

Në agjendën e vizitës së presidentes Osmani në Bullgari është edhe ndarja e Medaljes Presidenciale Ushtarake për Forcat e Armatosura të Bullgarisë për kontributin e tyre në kuadër të misionit paqeruajtës të NATO-s (KFOR) në Kosovë. Në ceremoni do të jetë i pranishëm edhe presidenti Radev, ministri në detyrë i Mbrojtjes, Dimitar Stoyanov dhe komandanti i Forcave të Përbashkëta të Armatosura të Bullgarisë, Valeri Tsolov, thuhet në njoftim.

Ndërsa, në Universitetin “Shën Kliment Ohridski”, Osmani do të nderohet me mirënjohje, teksa para stafit akademik, diplomatëve të akredituar dhe studentëve do ta mbajë një diskutim, në të cilin do të flasë për paqen dhe prosperitetin nëpërmjet integrimit euroatlantik në Evropën Juglindore.

Po ashtu, ajo do t`ia dhurojë një mirënjohje për kontributin e çmuar për studimin, zhvillimin dhe kultivimin e mëtejshëm të gjuhës shqipe, Departamentit të gjuhëve të përgjithshme, indoevropiane e ballkanike të këtij Universiteti.

Në agjendën e kësaj vizite dyditore është edhe një takim që presidentja Osmani do ta ketë me mërgatën shqiptare që jeton e vepron në Bullgari.