Presidentja Vjosa Osmani takon kryeministrin britanik Rishi Sunak

Presidentja Vjosa Osmani ka takuar kryeministrin e Britanisë së Madhe, Rishi Sunak me të cilin ka e diskutuar për bashkëpunimin mes dy vendeve.

Në margjinat e samitit të liderëve të Komunitetit Politik Evropian, Osmani ka thënë se ia ka shprehur mirënjohjen kryeministrit Sunak për mbështetjen që vendi i tij e ka dhënë për Kosovën.

“Ne shprehim mirënjohjen tonë për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar dhe angazhimin tonë të vazhdueshëm për të vazhduar përpjekjet tona të përbashkëta për paqen dhe sigurinë afatgjatë”- ka shkruar ajo në Twitter.

Presidentja Osmani është duke qëndruar në Moldavi, ajo dje ka takuar presidentin e Francës, Emmanuel Macron dhe kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz si dhe ka mbajtur një takim ‘joformal’ me presidentin serb Aleksandar Vuçiq.

Dje nga këto takime është propozuar ideja që në katër komunat veriore, Zveçan, Leposaviq, Zubin Potok e Mitrovicë të Veriut të përsëriten zgjedhjet edhe njëherë.

Këto takime janë mbajtur si përpjekje për të gjetur zgjidhje për situatën e krijuar në veri të vendit, ku që nga e hëna serbët janë duke protestuar për të kundërshtuar idenë që kryetarët e rinjë të ushtrojnë detyrat e tyre nga objektet komunale.

Të hënën protestuesit janë përplasur me forcat e KFOR, ku kanë mbetur të lënduar rreth 30 ushtarë.

SHBA-të dhe BE vazhdimisht kanë kërkuar shtendosje të situatës në veri të Kosovës. Madje SHBA ka përjashtuar ushtrinë e Kosovës nga ushtrimi Defender 23 si pasojë për ‘mosdëgjimin’ që e ka bërë qeveria e Kosovës.

SHBA po kërkojnë nga qeveria që kryetarët e ti të mos ushtrojnë detyrat e tyre nga objektet komunale dhe policia e Kosovës të largohet nga ato ndërtesa.

Për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti kryetarët duhet të ushtrojnë detyrat nga zyrat e tyre, sepse sipas tij Kosovës nuk i duhet sistem paralel.

Borrell: Kemi 3 kërkesa të qarta për Kosovën, mosrealizimi do të ketë pasoja