Vjosa Osmani

Presidentja Vjosa Osmani takoi homologun francez dhe kancelarin gjerman

Në kuadër të samitit inaugurues të Komunitetit Politik Evropian që po mbahet në Pragë të Çekisë presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka takuar presidentin e Francës, Emmanuel Macron dhe kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz.

Osmani është shprehur mirënjohës për takimin përmbajtjesor me dy liderët, të cilët i ka falënderuar për angazhimin e tyre për liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Presidentja Osmani ka falënderuar Francën dhe Gjermaninë për angazhimin e tyre për liberalizim të vizave për Kosovën, duke përmendur rëndësinë vendimtare që ky proces të përfundojë gjatë Presidencës çeke të Këshillit të BE-së. Në këtë drejtim, Presidentja Osmani ka rikonfirmuar marrëdhëniet e shkëlqyera me Francën dhe Gjermaninë, si aleatë të fuqishëm të Kosovës në kontinentin evropian” – kanë njoftuar nga presidenca.

Gjatë takimit është folur edhe për procesin e dialogut me Serbinë për të cilin Osmani ka theksuar se Kosova mbetet palë e palëkundur në këtë proces.

“Duke folur për procesin e dialogut me Serbinë, Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova vazhdon të mbetet palë konstruktive në këtë proces dhe ka falënderuar Francën dhe Gjermaninë për përpjekjen e tyre për ta intensifikuar procesin e dialogut. Kosova është e interesuar në përmbylljen e dialogut sa më shpejt, me njohje të ndërsjellë, ruajtjen e integritetit territorial, rendit kushtetues dhe funksionalitetit institucional të Republikës së Kosovës”- vazhdon njoftimi i Presidencës së Kosovës.

Samiti në Pragë, Osmani takon disa nga liderët botëror