Fotografia zyrtare e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, Foto: Zyra e Presidentit

Presidentja Vjosa Osmani pranon urime nga homologët nga Malta dhe Ishujt Marshall

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar urime nga homologu i saj nga Malta, George Vella dhe ai i Ishujve Marshall, David Kabua.

Lajmin e ka bërë të ditur Presidenca përmes një komunikate për media.

Presidenti Vella ka uruar presidenten kosovare për detyrën dhe ka theksuar se marrëdhëniet e mira ndërmjet dy shteteve do të ngriten në nivel bilateral dhe në forumet multilaterale. 

Ai gjithashtu ka theksuar se shteti i tij do të qëndrojë përkrah Kosovës në rrugën e saj evropiane.

Kurse presidenti i Ishujve Marshall, David Kabua, e ka cilësuar historike zgjedhjen e presidentes Vjosa Osmani në krye të shtetit. 

Më tej, Kabua ka shfaqur besimin se marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve do të intensifikohen dhe do të fuqizohen nën udhëheqjen e Osmanit.