Presidentja e Kosoves, Vjosa Osmani Foto: Denis Sllovinja /KALLXO.com
Presidentja Vjosa Osmani bën thirrje që të mos merren seriozisht kërkesat e Vuçiqit
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, më 17.09.2024 ka thënë se kërkesat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiqit, nuk duhet të merren seriozisht pasi, sipas saj, ai nuk e do me të vërtetë rikthimin e serbëve në institucionet e Kosovës.
Sipas saj, Vuçiqi i prezanton ato vetëm si fjalë e retorikë për ta hequr vëmendjen e botës demokratike nga ajo që po ngjan në të vërtetë.
“Jam e bindur që kur Vuçiqi flet për rikthim të serbëve në institucione ai i prezanton ato vetëm si fjalë e retorikë për ta hequr vëmendjen e botës demokratike nga ajo që po ngjan në të vërtetë – që janë përpjekjet e tij, Qeverisë së tij, ushtrisë së tij, në trajnimin e vazhdueshëm të forcave paramilitare, të cilat kanë qëllim vetëm dhunën”- tha Osmani.
“Nuk duhet asnjë fjalë e tij të merret seriozisht, por ne duhet të punojmë maksimalisht që çdo qytetar të jetë i barabartë”- shtoi ajo.
Presidentja ka thënë se çdo e drejtë që u njihet serbëve dhe pakicave të tjera duhet të zbatohet, por jo sepse thotë Vuçiqi, por sepse janë të drejta që u takojnë.
Gjatë adresimit të tij më 13.09.2024, presidenti serb Aleksandar Vuçiq kërkoi shpalljen e zgjedhjeve të reja lokale në veri të Kosovës, kthimin e serbëve në Policinë e Kosovës dhe në gjyqësor, si dhe tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga veriu.
Bashkimi Europian nuk i ka komentuar drejtpërdrejtë kërkesat që Serbia i ka paraqitur në raport me Kosovën, megjithatë ka mirëpritur gatishmërinë e shprehur nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq për të vazhduar angazhimin në dialogun e lehtësuar nga BE.
Në pyetjet e KALLXO.com pas deklaratave të Vuçiqit, zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano, është përgjigjur “se e vërejnë pozitivisht thirrjen për pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës në zgjedhjet në Kosovë dhe riintegrimin e serbëve të Kosovës në të gjitha institucionet e Kosovës nga të cilat ata u larguan në vitin 2022”.
“BE-ja vazhdimisht i ka bërë thirrje Beogradit që të inkurajojë dhe Prishtinës që të mundësojë riintegrimin e serbëve të Kosovës”- tha Stano.
BE e sheh me sy pozitiv një kërkesë të Vuçiqit, Kosovës ia përmend sërish Asociacionin