Presidentja takohet me shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim shefin e Misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), në Kosovë, Michael Davenport.

Në këtë takim, Osmani ka uruar Davenport për fillimin e detyrës së re në Kosovë, duke i dëshiruar sukses në punë.

Presidentja po ashtu theksoi rolin e rëndësishëm të OSBE-së, duke thënë se Republika e Kosovës synon anëtarësimin në këtë organizatë.

Ndërsa Davenport ka uruar në këtë takim Presidenten për zgjedhjen në krye të shtetit me ç’rast shprehu gatishmërinë e tij dhe të OSBE-së për të bashkëpunuar në të gjitha fushat.