Ifar i përbashkët i krerëve shtetërorë dhe atyre fetarë; Fotografi: Presidentja Vjosa Osmani- Sadriu në Facebook

Presidentja shtroi iftar për drejtuesit e Bashkësisë Islame, të pranishëm edhe kryeministri e kryeparlamentari

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, ka shtruar sonte iftar për drejtuesit e Bashkësisë Islame të Kosovë, në krye me kryemyftiun Naim Tërnava.

Në këtë iftar ishin të ftuar edhe kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca.

“I përgëzojmë të devotshmit që përgjatë këtyre ditëve patën kurajë ta dëshmojnë sakrificën dhe solidaritetin e tyre, dy vlera njerëzore që na shquajnë ndër breza. Nesër do të përmbyllet cikli i agjërimit, teksa një ditë më pas do ta urojmë njëri-tjetrin në kremten e Bajramit, me dëshirat më të mira për fat e mbarësi!”, ka shkruar presidentja në Facebook.

Ndërkaq, kryeministri Albin Kurti u ka uruar agjërim të pranuar të gjithë agjëruesve.

“Duke qenë një kohë bamirësie dhe përsiatjeje shpirtërore, Ramazani na rikujton t’i vendosim nevojat e të tjerëve para tonave ndërsa vlerat islame të dhembshurisë dhe bujarisë marrin edhe më shumë kuptim në situatën aktuale me COVID-19” ka shkruar Kurti në Facebook.