Presidentja Vjosa Osmani në takim me ambasadorët e QUINT-it dhe atë të BE-së, një ditë pas shpërthimit në Ibër-Lepenc. Foto: Presidenca e Kosovës

Presidentja priti në takim ambasadorët e QUINT-it dhe atë të BE-së

Presidentja Vjosa Osmani ka pritur në takim ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe atë të Bashkimit Europian për të diskutuar rreth zhvillimeve të fundit pas sulmit në kanalin e Ibër –Lepencit, të cilin Osmani e ka cilësuar si sulm terrorist.

“Presidentja Osmani ka potencuar cenimin që i është bërë sigurisë kombëtare të Kosovës përmes sulmeve në infrastrukturën vitale” – njofton Presidenca.

Në këtë takim, është diskutuar për reagimin e institucioneve përgjegjëse karshi situatës, me ç’rast të dyja palët kanë vlerësuar lartë menaxhimin dhe punën e bërë.

Kryetarja e shtetit ka thënë se sulmet e fundit synojnë jo vetëm destabilizimin e Kssovës, por paraqesin rrezik edhe për stabilitetin e rajonit.

“Presidentja Osmani i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që ta dënojë këtë sulm terrorist dhe të qëndrojë e bashkuar kundër çdo përpjekjeje për të minuar paqen dhe sigurinë në Kosovë. Po ashtu, ajo ritheksoi se parandalimi i sulmeve të tilla në të ardhmen duhet të jetë fokusi kryesor” – thuhet në njoftim.

Presidenca thotë se Osmani sot do të vazhdojë të takojë edhe institucionet e sigurisë në vend.

Paraprakisht, ajo ishte takuar edhe me komandantin e KFOR-it, Enrico Barduani.

Një shpërthim ka ndodhur më 29.11.2024 në kanalin e ujit të Ibër Lepencit në fshatin Vrragë të komunës së Zubin Potokut. Qeveria e Kosovës thotë se ky sulm është dirigjuar e orkestruar nga Serbia e i kryer nga profesionistë.

Këtë sulm e kanë dënuar edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Bashkimi Europian.

Ky shpërthim ka shkaktuar probleme në furnizim me ujë dhe rrymë në Kosovë.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka njoftuar më 30.11.2024 se pavarësisht dëmtimit të shkaktuar, kanë arritur të sigurojnë energji elektrike për vendin përmes vendosjes së gjashtë gypave të përkohshëm, me kapacitet të mjaftueshëm për të siguruar ujë për ftohjen e termocentralit “Kosova B”.

Kryeshefi i Ibër Lepencit, Faruk Mujka ka thënë se besojnë që së shpejti do të bëjnë zgjidhje edhe për ujë të pijshëm.

Për këtë çështje, Këshilli i Sigurisë së Kosovës ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme në orën 1:30 të mëngjesit të sotëm (30.11.2024) ku ka folur për këtë shpërthim.

Në mbledhje, sipas një komunikate për media, u fol për ndërlidhjen e mundshme të rastit të djeshëm, me një sulm të ngjashëm rus në Ukrainë javën e kaluar. Në këtë mbledhje janë diskutuar edhe masat emergjente që janë marrë dhe po merren për të zbutur pasojat e sulmit dhe për të garantuar sigurinë e infrastrukturës kritike në vend.

Të gjitha lajmet rreth situatës pas shpërthimit në kanalin e Ibër Lepencit, mund t’i lexoni në artikullin e mëposhtëm.

Lajm në Zhvillim: Shpërthim në Zubin Potok, dëmtohet kanali i ujit të Ibër-Lepencit