Presidentja përkrah peticionin për Projektligjin për parandalim të vetëvrasjes në Kosovë
Presidentja Vjosa Osmani ka përkrahur peticionin për Projektligjin për parandalim të vetëvrasjes, i cili është dorëzuar në Kuvendin e Kosovës sot, në Ditën Botërore të Parandalimit të Vetëvrasjes.
Ky peticion ka mbledhur 13 mijë e 361 nënshkrime brenda 4 muajsh dhe përfshin disa kërkesa siç janë krijimi i një ligji që rregullon shërbimet klinike për parandalim të vetëvrasjes, integrimin e parandalimit të vetëvrasjes në objektiva institucionale, mekanizma për ngritje të profesionalizimit dhe kujdesit të mediave ndaj rasteve të raportimit të vetëvrasjes, shërbime dhe mbështetje sociale e joklinike, mekanizma për reduktimin e qasjes në mjete vetëlënduese, programe specifike për komunitete joshumicë dhe mekanizma për mbledhje të të dhënave të vetëvrasjes.
Osmani ka ftuar deputetët që ta trajtojnë këtë nismë me prioritet në fillim të sesionit vjeshtor.
“Ne të gjithë bashkërisht duhet ta rikujtojmë një të vërtetë të fuqishme: gjithmonë ka shpresë! Vetëm përmes përpjekjeve të përbashkëta, ne mund ta thyejmë heshtjen, ta çrrënjosim stigmën dhe të tregojmë se askush nuk duhet të ndihet i vetëm në çfarëdo sfide apo beteje” – ka shkruar presidentja Osmani.
Në emër të disa organizatave të shoqërisë civile, Bind Skeja, themelues i qendrës telefonike për parandalimin e vetëvrasjeve “Linja e Jetës” shprehu keqardhje që nuk janë pritur nga kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca apo dikush i kabinetit të tij, për dorëzimin e peticionit.
“Peticionin e kemi dorëzu, por fatkeqësisht nuk jemi prit prej kryetarit të Kuvendit apo nga dikush prej kabinetit të tij, qysh parashihet me rregullore. Kjo me fillim e kallxon një qasje joserioze, por që ne shpresojmë se nuk është përfaqësuese për procesin e plotë” – ka thënë ai.
Skeja ka shtuar se së bashkë mund të krijohet shpresë për ata që sot kanë mendime për vetëvrasje.