
Presidentja Osmani zhvilloi takim me zyrtarin e lartë të Administratës së presidentit Trump
Gjatë vizitës së saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me Ndihmës Sekretarin e Shtetit për Çështjet Europiane dhe Eroaziatike në Departamentin e Shtetit, Louis Bono.
Në njoftimin e Presidencës, të lëshuar sot, më 05.02.2025, është bërë e ditur se takimi është fokusuar në forcimin e partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në përputhje me objektivat e Administratës së presidentit Donald Trump, si dhe në avancimin e bashkëpunimit në mbrojtje dhe ekonomi.
Ndërkaq, gjatë takimit, thuhet po ashtu se Osmani riafirmoi përkushtimin e Kosovës për të bashkëpunuar ngushtë me SHBA-në, duke thelluar kështu marrëdhëniet bilaterale.
“Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e forcimit të sigurisë rajonale dhe nevojën për një qëndrim të fuqishëm parandalues përballë kërcënimeve të vazhdueshme nga Rusia, Serbia dhe aktorë të tjerë keqdashës. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani nënvizoi domosdoshmërinë e bashkëpunimit të ngushtë për të ruajtur stabilitetin dhe paqen në rajon”- njofton Presidenca e Kosovës.
Tutje, njoftohet se presidentja e Kosovës gjatë këtij takimi ka folur edhe për rëndësinë e integrimit të Kosovës në NATO gjë që, sipas saj, përveç se do të fuqizonte sigurinë në Kosovë dhe në rajon, është edhe në harmoni me objektivat strategjike amerikane për paqen dhe sigurinë globale.
“Ajo konfirmoi se Kosova ka rritur tashmë buxhetin për mbrojtje në 2% të Bruto Produktit Vendor dhe është në proces të rritjes së këtij buxheti për të përmbushur objektivin strategjik të anëtarësimit në NATO”- thuhet mes tjerash në njoftim.
Po ashtu, Presidenca bën të ditur se Osmani ka konfirmuar gatishmërinë e Kosovës për angazhim aktiv në drejtim të realizimit të Dialogut Strategjik.
Ndryshe, KALLXO.com, sot më 05.02.2025 raportoi se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të zhvillojë takimin e parë në Departamentin amerikan të Shtetit (DASH), me zyrtarë të Administratës së re amerikane.
Takimi ishte i mbyllur për media.
Presidentja Osmani në DASH, pritet të zhvillojë takimin e parë në Administratën e presidentit Trump
Gjatë rihapjes së katedrales ikonike Notre Dame në Paris, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ishte takuar me presidentin e zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump.
“Ndërsa isha në Paris, ishte një nder të takoja presidentin Donald Trump dhe ta përgëzoja për fitoren e tij në emër të popullit të Kosovës. Rikonfirmova, gjithashtu, angazhimin tonë për të forcuar aleancën tonë. Ne mbështetemi në udhëheqjen e fortë të SHBA-së, ndërsa punojmë së bashku për të promovuar paqen, sigurinë dhe prosperitetin në rajonin tonë dhe më gjerë.” – ka shkruar Osmani, në rrjetin social X, më 08.12.2024.
Louis Bono është emëruar zyrtar i lartë i Byrosë e Çështjeve Europiane dhe Euroaziatike nga presidenti Trump.
Ai është anëtar i Shërbimit të Lartë të Jashtëm dhe së fundmi ka shërbyer si Këshilltar i Lartë për Negociatat e Kaukazit.
Më parë ai ka qenë Zëvendëspërfaqësues i Përhershëm në Zyrën e Kombeve të Bashkuara në Vjenë dhe Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, Zëvendësshef i Misionit në Selinë e Shenjtë, Këshilli i Sigurisë Kombëtare, drejtor i Zyrës Rajonale të Basrahut, Misioni i SHBA-së në BE dhe Ambasada në Berlin.
Ai ka shërbyer gjithashtu si këshilltar i Zëvendëssekretarit të Shtetit dhe i Nënsekretarit të Shtetit për Çështjet Ekonomike dhe Biznesore dhe si drejtor për Politikat Ekonomike të Azisë Lindore dhe Paqësorit.