Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Presidentja Osmani viziton sallën “1 Tetori”: Në këtë vend po jepet mesazh i shpresës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me Ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia kanë vizituar sallën “1 tetori” në kryeqytet, vendin ku bëhet vaksinimi me vaksinën ‘AstraZeneca’, kundër coronavirusit.

“Në këtë vend po jepet mesazh i shpresës. Jam shumë e lumtur që ka fillu vaksinimi i qytetarëve tonë dhe stafit shëndetësorë. Është shumë e rëndësishme që përkundër faktit që ka fillu ky proces ne të respektojmë masat”, u shpreh Presidentja para mediave.

Osmani inkurajon të gjithë qytetarët që të vaksinohet  si në sallën “1 tetori” ashtu në nëpër Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare.

“Dua të inkurajoj gjithsecilin që të vaksinohet këtu në sallën “1 Tetori” por edhe në QKMF. Për fat të keq numri i vdekjeve dhe infeksioni është i madh. Prandaj duhet kujdes i madh të mbrojmë njeri tjetrit” tha ajo.

Presidentja gjithashtu theksoi se janë duke punuar bashkërisht me Ministrinë e Shëndetësisë që të sigurojnë edhe kontingjentin tjetër me vaksina kundër SARS- CoV2.

Ministri Arben Vitia, tregoi se më 8 dhe 9 prill do të filloj vaksinimi i qytetarëve mbi 80 vjeç.

Ai thotë se sot janë vaksinuar 416 persona me vaksinën ‘AstraZeneca’.

“Sot janë vaksinuar 416 persona. Nga data 8 dhe 9 prill do të fillohet edhe vaksinimi i personave mbi 80 vjeçar”, tha Vitia.

“Presim shumë shpejt të vij edhe kontingjenti tjetër. Jemi koshient që përveç vaksinimit edhe masat, të respektohen në mënyrë që të parandalohen edhe sëmundje tjera”, potencoi tutje.

Sa i përket sigurisë së vaksinës, ministri, tha se ajo është e sigurt.

“Vaksina është e sigurt nuk ka efekte aspak (anësor) nga asnjë që e ka marr vaksinën”, tha Vitia.

Në anën tjetër menaxher për vaksinim, Niman Bardhi, në sallën “1 Tetori” dhe shtatë regjionet e Kosovës, thotë se nga dita e parë e vaksinimit, 29 mars 2021, deri më sot, janë vaksinuar mbi 3,100 të vaksinuar me ‘AtraZeneca’.

Kosova më 28 mars 2021 ka pranuar donacion nga UNICEF, 24 mijë doza të vaksinës ‘AstraZeneca’.

Vaksinimi bëhet në sallën “1 Tetori” në Prishtinë dhe nëpër Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare në komuna.