Presidentja Vjosa Osmani dhe artisti Petrit Halilaj, Foto: Vjosa Osmani/Facebook

Presidentja Osmani vizitoi ekspozitën “Abetare” të artistit Petrit Halilaj në New York

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, gjatë vizitës së saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka takuar artistin kosovar me famë botërore, Petrit Halilaj, më 20.09.2024.

Presidentja Osmani me këtë rast e ka vizituar edhe ekspozitën e artistit Halilaj me titullin “Abetare” në muzeun prestigjioz “Metropolitan Museum of Art” [Muzeun Metropolitan të Artit], në New York.

“Kënaqësi e veçantë ta takoj artistin tonë Petrit Halilaj dhe ta vizitoj ekspozitën me titullin “Abetare”, në një ndër muzetë më prestigjiozë në botë, Metropolitan Museum of Art në New York. Ekspozita e Petritit është një pjesë e historisë sonë të dhimbshme që na kujton kohën e robërisë, qëndrueshmërisë dhe triumfit” – ka shkruar presidentja Osmani në Facebook, më 20.09.2024.

Ekspozita “Abetare” e Petrit Halilajt u inaugurua më 29.04.2024, në tarracën e Muzeut Metropolitan të Artit në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ekspozita shpërfaq botën imagjinare të fëmijëve të ilustruara në bankat shkollore.

Përmes një komunikate për media, Muzeu Metropolitan i Artit kishte bërë të ditur se skulpturat metalike të artistit kosovar janë frymëzuar nga shkarravinat dhe vizatimet e gjetura në bankat e shkollës, ku ai vijonte mësimet në Runik, si dhe në shkolla të tjera të rajonit, të cilat tani po pësojnë ndryshime të mëdha kulturore dhe socio-politike.

Kurse, Halilaj, sipas komunikatës, ishte shprehur se shkarravinat e zakonshme të nxënësve në bankat e tyre, në çaste monotonie apo shpërqendrimi, përmbajnë fantazitë dhe ëndrrat e tyre.

“Fillova ta hulumtoj këtë si praktikë më 2015, atëherë ishte e rëndësishme për mua që ëndrrat e shkollës sime në Kosovë t’i bart në Europë, nga e cila pjesë e botës, vendi im ishte ende i izoluar. Tani në vitin 2024, shkarravina të panumërta nga bankat shkollore nga i gjithë Ballkani po zbulohen në një kontekst dhe kontinent të ri. Puna ime këtu në Muzeun Metropolitan të Artit u dedikohet të gjithë fëmijëve, në jetën e të cilëve luftërat në tërë botën lanë vragë të thella. Shpresoj që ëndrrat e tyre do t’na fluturojnë në një të ardhme më të bukur”- kishte thënë Halilaj.

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, kishte marrë pjesë në hapjen e ekspozitës së Halilajt, në New York, i cili kishte vlerësuar se Halilaj ka shkruar përtej arritjes individuale të tij dhe se kjo është një arritje e madhe në fushën e diplomacisë publike. 

“Petriti u bë shqiptari i parë nga Kosova që prezanton veprën e tij në MET (Muzeun Metropolitan të Artit), duke hapur rrugën e promovimit e prezantimit të artit e Kosovës para publikut e artdashësve amerikanë e më gjerë”- kishte shkruar ministri Çeku në Facebook, më 30.04.2024.

Ndërkaq, ekspozita “Abetare” e Petrit Halilajt do të qëndrojë e hapur për publikun në terracën e Muzeut Metropolitan të Artit deri më 27.10.2024, ndërsa para disa ditësh, u hap më 12.09.2024 edhe në galerinë “kurimanzutto” në New York.