
Presidentja e Kosoves, Vjosa Osmani Foto: Denis Sllovinja /KALLXO.com
Presidentja Osmani vazhdon të marrë letra urimi për përvjetorin e Pavarësisë nga shtete mike të Kosovës
Presidenca e Kosovës ka njoftuar më 18.02.2025 se presidentja Vjosa Osmani ka vazhduar të marrë letra urimi për përvjetorin e Pavarësisë së Kosovës.
Më 17.02.2025, Kosova ka festuar 17-vjetorin e Pavarësisë së saj.
Presidenca ka njoftuar se presidentja Osmani ka pranuar letër urimi nga presidenti i Malit të Zi, nga presidenti i Bangladeshit, nga presidenti i Hungarisë, nga sulltani i Bruneit, nga presidenti i Estonisë, ai i Finlandës, si dhe Guvernatorja e Përgjithshme e Commonwealth-it të Australisë.
Në mesazhin e tij, presidenti i Bangladeshit, Mohammed Shahabuddin, përveç urimit për përvjetorin e 17-të të Pavarësisë, ka vënë në dukje edhe zhvillimin pozitiv të marrëdhënieve dypalëshe midis Bangladeshit dhe Kosovës gjatë viteve të fundit, duke theksuar rritjen e bashkëpunimit në fusha të ndryshme me interes të përbashkët.
Ndërsa, presidenti i Estonisë, Alar Karis, derisa ka uruar Kosovën për Ditën e Pavarësisë, ka ritheksuar edhe mbështetjen e vazhdueshme të Estonisë për zgjerimin e Bashkimit Europian dhe integrimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
Ai ka përmendur edhe takimin e fundit që ka zhvilluar me presidenten Osmani në Konferencën e Sigurisë në Mynih që, sipas tij, i ka dhënë një “shtysë të re” për bashkëpunimit të ardhshëm, duke theksuar se iniciativat e diskutuara do të hapin rrugën për një bashkëpunim domethënës në fusha kyçe me interes të përbashkët, njofton Presidenca e Kosovës.
Ndërkaq, presidenti finlandez, Alexander Stubb, përmes letrës se urimit për përvjetorin e Pavarësisë së Kosovës ka shprehur pritshmëritë e tij për forcimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve dypalëshe mes dy shteteve dhe ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit në çështjet aktuale të politikës së jashtme.
Presidenti i shtetit fqinj, Malit të Zi, Jakov Milatoviq, në urimin e tij për Ditën e Pavarësisë ka ritheksuar edhe një herë angazhimin e përbashkët të Kosovës dhe Malit të Zi për forcimin e stabilitetit rajonal përmes dialogut politik dhe respektit të ndërsjellë, bën të ditur Presidenca e Kosovës.
Urimi i radhës erdhi nga presidenti i Hungarisë, Tamás Sulyok, i cili ka shprehur bindjet e tij për reformat e nevojshme për arritjen e statusit të kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Europian.
“Jemi të bindur se reformat e nevojshme për arritjen e statusit të kandidatit për anëtarësim do të përmbyllen me sukses sa më shpejt të jetë e mundur” – ka theksuar ai, duke shprehur angazhimin e Hungarisë për ta mbështetur këtë proces.
Presidentja Osmani ka pranuar mesazh urimi edhe nga Guvernatorja e Përgjithshme e Commonwealth-it të Australisë, Sam Mostyn AC, e cila është e bindur se marrëdhëniet mes dy vendeve do të “lulëzojnë” edhe në vazhdim.
“Më lejoni të shpreh besimin tim se marrëdhëniet miqësore mes dy vendeve tona do të vazhdojnë të lulëzojnë edhe në vitin e ardhshëm” – thuhet në urimin e Guvernatores Mostyn.
Gjithashtu, presidentja Osmani, edhe gjatë Ditës së Pavarësisë ka pranuar letra urimi nga shtetet të tjera mike të Kosovës, përfshirë këtu edhe letrën e presidentit të SHBA-së, Donald Trump.