Presidentja Osmani uron Trumpin: Mezi pres të punoj me administratën e re

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka uruar kandidatin republikan për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për rezultatet e zgjedhjeve që e çojnë atë drejt fitores përfundimtare.

“Në emër të popullit të Republikës së Kosovës, i shpreh urimet tona të përzemërta Donald Trump  dhe James David Vance për zgjedhjen e tyre si President dhe Zëvendës President i Shteteve të Bashkuara”- ka shkruar Osmani në rrjetin social ‘X’.

Osmani theksoi se SHBA mbetet partneri i palëkundur dhe aleati i domosdoshëm i Kosovës. Mezi pres të punoj me administratën e re për të thelluar më tej lidhjen tonë unike dhe aleancën strategjike.

“Zoti e bekoftë Amerikën, liderin e botës së lirë”- ka shkruar ajo.

Trump, i është afruar fitores në zgjedhje, pasi ka siguruar 267 prej 270 votave të nevojshme të Kolegjit Elektoral për t’u shpallur president.

Trumpin e ka uruar edhe presidenti i Francës Emanuel Macron, presidenti serb Aleksandër Vuçiq.

“Urime, President DonaldTrump. Gati për të punuar së bashku siç bëmë për katër vjet. Me bindjet tuaja dhe të miat. Me respekt dhe ambicie. Për më shumë paqe dhe prosperitet”- ka shkruar Macron në ‘X”.

“Urime Donald Trump për fitoren tuaj. Së bashku, përballemi me sfidat serioze që kemi përpara. Serbia është e angazhuar të punojë me SHBA-në për stabilitet, rritje dhe paqe”, shkroi Vuçiq në X.

Trumpin e ka uruar edhe presidenti i Republikës Srpska në Bosnje e Hercegovinë, Millorad Dodik, i cili është në listën e zezë të SHBA-së.

“Një nga fitoret më të rëndësishme elektorale në historinë e fundit të SHBA-së, por edhe të botës,” shkroi Dodik në X.

Trump ishte në garë me demokraten Kamala Harris, aktualisht nënpresidente.

Donald Trump, duke iu drejtuar mbështetësve të tij në selinë e fushatës në Florida të mërkurën, ka thënë se 5 nëntorin duhet ta konsiderojnë “si një prej ditëve më të rëndësishme të jetës tuaj”, raporton BBC.

“Amerika na ka dhënë mandat të pashembullt dhe të fuqishëm”, ka deklaruar ai, duke iu referuar kthimit të shumicës së republikanëve në Senat.

“Ne do ndihmojnë vendin tonë që të shërohet”, ka shtuar ai.

Deri më tani, SHBA ka pasur 46 presidentë, duke përfshirë presidentin aktual, Joe Biden, i cili është presidenti i 46-të. Megjithatë, Biden është konsideruar presidenti i 46-të dhe jo i 47-të, sepse Grover Cleveland shërbeu dy mandate jo të pasardhura, dhe prandaj ai është numëruar si presidenti i 22-të dhe i 24-të.