Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, Foto: Vjosa Osmani/X

Presidentja Osmani uron presidentin Trump: Kosova mbetet kombi më proamerikan në botë 

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar Donald Trumpin, i cili sot, më 20.01.2025, dha betimin si president i 47-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. 

Presidenca e Kosovës, në faqen e tyre zyrtare në Facebook, ka publikuar letrën e urimit të Osmanit për Trump, ku thuhet se Kosova do të jetë gjithmonë mirënjohëse për rolin historik të SHBA-së gjatë historisë.

“Përkushtimi i kombit tuaj për të mbrojtur lirinë dhe dinjitetin njerëzor e shpëtoi popullin tonë nga një regjim gjenocidal dhe na frymëzoi për të ndërtuar një Republikë sovrane elastike dhe të begatë. Sot, Kosova qëndron si një aleate dhe partnere krenare e Shteteve të Bashkuara, e udhëhequr nga një vendosmëri e përbashkët për të krijuar një të ardhme më të sigurt” – theksohet ndër të tjera në urimin e presidentes Osmani. 

Presidentja ka shkruar se lidershipi dhe përkushtimi i Trump për të avancuar rrugën e njohjes së ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë është diçka të cilën thotë se e vlerëson dhe se e mbështet me vendosmëri. 

Osmani ka shkruar se po ashtu do të kontribuojë edhe në paqen e qëndrueshme dhe afatgjatë në Ballkanin Perëndimor dhe në kontinentin e Europës. 

“Ne jemi plotësisht të përkushtuar të punojmë së bashku me ju dhe administratën tuaj për të siguruar që ky qëllim të arrihet dhe për të forcuar marrëdhëniet tona të veçanta duke ecur përpara”- shkruan Osmani. 

Tutje, Osmani në letrën e saj ka thënë se Kosova mbetet kombi më proamerikan në botë.

“Kosova me krenari mbetet kombi më proamerikan në botë. Populli ynë e vlerëson lidhjen e palëkundur që ndajmë me Shtetet e Bashkuara dhe ka një besim të thellë në vlerat që mishëron kombi juaj i madh. Ne jemi të gatshëm ta zgjerojmë dhe forcojmë këtë partneritet për të mirën e popullit tonë dhe brezave të ardhshëm”- është shprehur Osmani. 

Donald Trumpi është betuar si presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ai është betuar se do ta ruajë dhe mbrojë Kushtetutën amerikane.

Është hera e parë prej viteve 1890 që një president që ka humbur një palë zgjedhje rikthehet në Shtëpinë e Bardhë si triumfues dhe bën betimin për një tjetër mandat.