
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në Samitin e Frankofonisë, Foto: ZPRK
Presidentja Osmani udhëton për në Vatikan, do të pritet nga Papa Françesku, e në Itali do të takohet me homologun Sergio Mattarella
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, sot ka udhëtuar për vizitë në shtetin e Vatikanit dhe në Itali.
Siç bëhet e ditur në komunikatën e Presidencës, presidentja Osmani, së bashku me bashkëshortin, Prindon Sadriu dhe zëvendëskryeministren Donika Gërvalla do të pritet në audiencë nga Papa Françesku.
Sipas komunikatës, Osmani do të ketë takim edhe me sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Pietro Parolin si dhe do të realizohen edhe një sërë takimesh e aktivitete të tjera.
“Gjatë qëndrimit në Romë, Presidentja Osmani do të pritet edhe nga Presidenti i Republikës Italiane, Sergio Mattarella, me të cilin do të diskutojnë për avancimin e bashkëpunimit bilateral si dhe rritjen e koordinimit për tejkalimin e sfidave aktuale të sigurisë në rajon dhe përtej”, thuhet në komunikatë.