Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Presidentja Osmani thotë se ka tendencë për keqpërdorim të masave të BE-së për kushtëzim të Kosovës

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë sërish se masat e Bashkimit Europian ndaj Kosovës duhet të hiqen, madje thotë se ato nuk do duhej as të vendoseshin.

Presidentja Osman shtoi se se ka tendencë që masat të keqpërdoren si mënyrë për të kushtëzuar Kosovën.

Në një konferencë për media të mbajtur pas takimit të Osmanit me Presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev, Osmani u pyet edhe për masat e vendosura nga BE.

“Masat nuk është dashur të vendosen kurrë se përkundër mospajtimeve që kanë ekzistuar mes Qeverisë së Kosovës dhe partnerëve në Bashkimin Europian sa i përket 26 majit, Kosova ka vepruar brenda territorit të saj, nuk e ka pushtuar askënd, nuk ka përdorur dhunë, nuk e ka rrezikuar askënd që të meritonte masa të tilla të padrejta dhe joproporcionale” – tha Osmani.

Presidentja shtoi se Kosova ka plotësuar të gjitha kërkesat e BE-së për deeskalim të situatës në veri, prandaj edhe masat do duhej të hiqeshin.

Ajo tha se kërkesat për krijimin e bazës ligjore për zgjedhjet e reja, për krijimin e një protokolli të ri të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe KFOR-it e EUKEX-it dhe për kthim në dialog janë realizuar tashmë.

“Ka tendencë nga disa që masat të keqpërdoren si mënyrë për të kushtëzuar Kosovën për çështje komplet të ndryshme nga arsyeja që ato janë vendosur në fillim. Një qasje të tillë e kam kundërshtuar edhe në samitin BE – Ballkan Perëndimor që u mbajt më 13 dhjetor sepse kjo logjika sikur kur përdoreshin liberalizimi i vizave për të kushtëzuar Kosovën për çështje dialogu do të ketë vetëm efekt negativ” – tha Osmani.

E para e shtetit rikujtoi edhe ofrimin e nënshkrimit për marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë nga ana e Kryeminsitrit, Albin Kurti.

“Kosova e ka dëshmuar me qindra herë konstruktivitetin e saj për zbatimin e marrëveshjes, ndërkaq Serbia po e bën te kundërtën, jo tashmë vetëm me retorikë por edhe me shkrim, i ka informuar shtetet e BE-së se nuk do ta zbatojë marrëveshjen për normalizim” – shtoi ajo.

Masa e vendosura, sipas Vjosa Osmanit ndikojnë negativisht në jetën e qytetarëve përmes projekteve që janë bllokuar, të cilat kryesisht i dedikohen komunave.

Megjithatë, Presidentja shpreson se me përkrahjen e shteteve si Bullgaria e shteteve të tjera, që ajo tha se ishin të zëshme në samitin BE – Ballkan Perëndimor, këto masa do të hiqen.

Kryesues të Komisioneve të Punëve të Jashtme të parlamenteve të 12 vendeve europiane përmes një deklarate të përbashkët drejtuar Përfaqësuesit të Lartë për Politikë të Jashtme dhe zëvendëspresidentit të Komisionit Europian, Josep Borrell dhe përfaqësuesit special të BE-së për Ballkanin Perëndimor, Mirosllav Lajçak, kanë kërkuar të hiqen të gjitha masat negative të vendosura ndaj Kosovës dhe që të rinisë bashkëpunimi i plotë me Qeverinë e Kosovës.