Presidentja Osmani takon partitë opozitare, i informon për sigurinë në Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në takime të ndara ka pritur kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun, nënkryetaren e PDK-së, Vlora Çitaku dhe nënkryetarin e AAK-së, Muharrem Nitajn.

Në këto takime, Osmani i ka informuar përfaqësuesit e partive politike për situatën aktuale të sigurisë në vend pas zhvillimeve të fundit të krijuara nga agresioni i Federatës së Rusisë ndaj Ukrainës.

Ajo poashtu i informoi partitë opozitare për masat e ndërmarra nga institucionet e Kosovës, veçanërisht ato të sigurisë si dhe për koordinimin e plotë me partnerët ndërkombëtarë.

Sipas njoftimit për media, Presidentja ka falënderuar partitë opozitare për bashkëpunimin si dhe për qëndrimin e unifikuar në përballje me situatën e krijuar.

Sot, është dita e dytë e pushtimit rus të Ukrainës – lufta e parë e madhe tokësore në Evropë në dekada.

Kosova i’u bashkua sot ShBA-së dhe Evropës për sanksione ndaj Rusisë.

Presidenti rus, Vladimir Putin, tha se ka nisur, siç tha, një operacion “special” për “çmilitarizimin” e Ukrainës.

Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse.

Britania ka deklaruar se është e gatshme t’i ofrojë Ukrainës mbështetje shtesë ushtarake, përfshirë armë mbrojtëse vdekjeprurëse si dhe garanci për kredi, me qëllim që ta ndihmojë Kievin “që ta përballojë agresionin rus”.

Kurse, sot është raportuar se kryeqyteti Ukrainas ka përjetuar një natë të gjatë me bombardime nga distanca nga forcat ruse.