Presidentja Vjosa Osmani dhe kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), Naim Tërnava. Foto: Presidenca e Kosovës

Presidentja Osmani takon myftiun Tërnava: Kosova është krenare që e mban lart nivelin e tolerancës ndërfetare

Presidentja Vjosa Osmani ka takuar kreun e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), Naim Tërnava, me të cilin ka folur për “rolin jetik dhe nevojën për t’u angazhuar kundër gjuhës së urrejtjes e në favor të tolerancës, mirëkuptimit dhe respektit të ndërsjellë”.

Siç njofton Presidenca, Osmani dhe Tërnava kanë diskutuar për angazhimin e BIK-ut në forcimin e pozitës ndërkombëtare të shtetit, traditën e tolerancës ndërfetare dhe nevojën për vazhdimin e kultivimit të saj.

“Në një kohë ku paqja dhe mirëkuptimi global janë më të rëndësishme se kurrë, Kosova është krenare që vazhdon ta mbajë lart nivelin e tolerancës dhe harmonisë ndërfetare” – citohet të ketë thënë presidentja Osmani.

Kryetarja e shtetit ka shprehur vlerësimin e thellë për përpjekjet e Bashkësisë Islame për dialog, mirëkuptim dhe unitet mes komuniteteve fetare në Kosovë.