Presidentja Vjosa Osmani në takim me komandantin e KFOR-it, Enrico Barduani një ditë pas shpërthimit në Ibër-Lepenc, 30.11.2024. Foto: Presidenca e Kosovës
Presidentja Osmani takon komandantin e KFOR-it, flasin për sulmin në Ibër-Lepenc
Presidentja Vjosa Osmani është takuar me komandantin e KFOR-it Enrico Barduani, me të cilin ka diskutuar lidhur me sulmin e mbrëmshëm në Ibër-Lepenc.
“Në këtë takim, Presidentja Osmani ritheksoi se sulmi terrorist ndaj infrastrukturës vitale dëshmon qëllimet e Serbisë për destablizimin e Kosovës dhe gjithë rajonit, duke cenuar sigurinë kombëtare të vendit tonë si dhe duke synuar krijimin e një krize humanitare” – njofton Zyra e Presidentes.
Osmani ka shprehur vlerësim të lartë për institucionet e Kosovës për menaxhimin e suksesshëm të situatës si dhe ka falënderuar KFOR-in për ofrim të menjëhershëm të të gjitha kapaciteteve të tyre, për të ndihmuar tejkalimin e gjendjes dhe parandalimin e sulmeve të ngjashme.
Në anën tjetër, Kryeministri i Kosovës ka vizituar vendin e ngjarjes në Zubin Potok, nga ku ka bërë të ditur se lidhur me këtë rast veçse janë bërë disa arrestime si rezultat i disa bastisjeve.
Ai ka thënë se po bëhet maksimumi për të siguruar ujin e pijes, energjinë e ngrohjen.
Një shpërthim ka ndodhur më 29.11.2024 në kanalin e ujit të Ibër Lepencit në fshatin Vrragë të komunës së Zubin Potokut. Qeveria e Kosovës thotë se ky sulm është dirigjuar e orkestruar nga Serbia e i kryer nga profesionistë.
Këtë sulm e kanë dënuar edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Bashkimi Europian.
Ky shpërthim ka shkaktuar probleme në furnizim me ujë dhe rrymë në Kosovë.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka njoftuar më 30.11.2024 se pavarësisht dëmtimit të shkaktuar, kanë arritur të sigurojnë energji elektrike për vendin përmes vendosjes së gjashtë gypave të përkohshëm, me kapacitet të mjaftueshëm për të siguruar ujë për ftohjen e termocentralit “Kosova B”.
Kryeshefi i Ibër Lepencit, Faruk Mujka ka thënë se besojnë që së shpejti do të bëjnë zgjidhje edhe për ujë të pijshëm.
Për këtë çështje, Këshilli i Sigurisë së Kosovës ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme në orën 1:30 të mëngjesit të sotëm (30.11.2024) ku ka folur për këtë shpërthim.
Në mbledhje, sipas një komunikate për media, u fol për ndërlidhjen e mundshme të rastit të djeshëm, me një sulm të ngjashëm rus në Ukrainë javën e kaluar. Në këtë mbledhje janë diskutuar edhe masat emergjente që janë marrë dhe po merren për të zbutur pasojat e sulmit dhe për të garantuar sigurinë e infrastrukturës kritike në vend.
Të gjitha lajmet rreth situatës pas shpërthimit në kanalin e Ibër Lepencit, mund t’i lexoni në artikullin e mëposhtëm.
Lajm në Zhvillim: Shpërthim në Zubin Potok, dëmtohet kanali i ujit të Ibër-Lepencit