Vjosa Osmani dhe Sergio Mattarella, Foto: ZPRK

Presidentja Osmani takon homologun italian, diskutojnë për thellim të bashkëpunimit Kosovë-Itali

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, u prit sot në Pallatin Kuirinale me nderime nga presidenti i Italisë, Sergio Mattarella.

Siç njofton Presidenca, dy presidentët konfirmuan raportet miqësore mes dy vendeve dhe pohuan përkushtimin për thellim të bashkëpunimit në dobi të qytetarëve dhe me qëllim të tejkalimit të sfidave të sigurisë në rajon dhe përtej.

Tutje sipas komunikatës, në takim, presidentja Osmani foli për zhvillimet në Kosovë dhe prioritetet në fushën e politikëbërjes, me ç’rast theksoi se Kosova është një partner serioz dhe një vend i gatshëm për avancim të aleancave me partnerët strategjikë.

“Ajo vlerësoi mbështetjen e Italisë për Kosovën në rrugëtimin drejt anëtarësimit në strukturat euro-atlantike, si dhe e falënderoi Italinë për mbështetjen e fuqishme në ruajtje të sigurisë dhe stabilitetit. Presidentja Osmani foli edhe për rëndësinë strategjike të anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, me ç’rast veçoi anëtarësimin në Këshillin e Evropës, për të cilin kërkoi mbështetjen e Italisë” – thuhet në komunikatë.

Në këtë takim bëhet e ditur se presidentja Osmani dhe presidenti Mattarella kanë folur edhe për zhvillimet në Evropë si pasojë e agresionit rus në Ukrainë, me ç’rast u dakorduan për rëndësinë e bashkëpunimit dhe thellimit të aleancave në mbrojtjen e paqes, sigurisë dhe demokracisë.

“Dy presidentët folën edhe për sfidat e sigurisë në Kosovë dhe në rajon. Me këtë rast, Presidentja Osmani theksoi se Kosova ka qenë dhe mbetet përherë një vend paqedashës dhe, si e tillë, do të jetë gjithmonë në mbrojtje të paqes, demokracisë dhe vlerave demokratike” – thuhet në komunikatë.

Po ashtu Osmani dhe homologu i saj italian kanë diskutuar edhe për dialogun Kosovë- Serbi.

“Në këtë drejtim, Presidentja Osmani theksoi se Kosova mbetet një palë e përkushtuar dhe konstruktive dhe se po angazhohet për një proces të përqendruar në njohje reciproke e që si përfundim garanton mbrojtjen e sovranitetit, integritetit territorial dhe rendit kushtetues” – thuhet në komunikatë.

Presidentja Osmani ka udhëtuar dje për në Itali dhe në Vatikan.

Sot, Osmani është pritur në audiencë private nga Papa Françesku në Selinë e Shenjtë.

Presidentja Osmani pritet në takim nga Papa Françesku në Venedik