Presidentja Osmani takon dy deputetë të CDU-së në Konferencën e Sigurisë në Mynih

Presidentja Vjosa Osmani po qëndron në Mynish të Gjermanisë në kuadër të Konferencës së Sigurisë.

Në Mynih, presidentja Osmani ka takuar  deputetët e CDU-së, Annette Widmann-Mauz dhe Jürgen Hardt.

“Bashkëpunimi me Gjermaninë mbetet një nga prioritetet kryesore, e CDU si parti ka kontribuar ndër vite në kultivimin e marrëdhënieve tona bilaterale. Sot, në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Mynih, takova deputetët Annette Widmann-Mauz dhe Jürgen Hardt nga radhët e CDU-së.” – ka shkruar presidentja Osmani.

Temë diskutimi në këtë takim ishin sfidat e sigurisë e avancimi i paqes në rajon.

“Diskutuam rëndësinë e koordinimit dhe komunikimit të rregullt për t’u përballur me sfidat e sigurisë, avancimin e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, si dhe intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik” – ka shkruar tutje Osmani.

Në Mynih po qëndrojnë edhe kryeministri Albin Kurti e ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.