Presidentja Osmani takon ambasadorët e QUINT-it dhe shefin e Zyrës së BE-së, diskutojnë për dialogun Kosovë-Serbi

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim ambasadorët e vendeve të Quint-it në Kosovë, gjegjësisht, ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Nicholas Abbott, ambasadorin e Gjermanisë, Jorn Rohde, ambasadorin e Italisë, Antonello De Riu, ambasadorin Francës, Olivier Guerot, zëvendësshefen e Misionit të Shteteve të Bashkuara, Alyson Grunder, si dhe shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog.

Sipas komunikatës së Presidencës, në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në vend, përfshirë dialogun me Serbinë, hapat e mëtutjeshëm, si dhe koordinimin e vazhdueshëm të institucioneve të Republikës me aleatë.

“Presidentja Osmani potencoi se dakordimi rreth aneksit për zbatimin e marrëveshjes bazë duhet të ketë parasysh parimet e miratuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës rreth paprekshmërisë së sovranitetit, integritetit territorial, kushtetutshmërisë dhe funksionalitetit të shtetit të Kosovës” – thuhet në komunikatë.

Tutje sipas komunikatës, presidentja Osmani po ashtu ka theksuar se Kosova vazhdon të mbetet palë konstruktive karshi dialogut me Serbinë, dhe vazhdon të jetë e përkushtuar për një proces i cili kontribuon në paqe, siguri dhe prosperitet të qëndrueshëm në vend e rajon.

Javën e kaluar kryeministri Albin Kurtit dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq kanë zhvilluar një takim të ndërmjetësuar nga shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Pas këtij takimi është publikuar plani i Bashkimit Evropian i njohur si plani franko-gjerman.

Një takim i radhës është paralajmëruar për më 18 mars.

Takimi i Brukselit, nuk ka marrëveshje të nënshkruar