Foto: ZPRK

Presidentja Osmani takoi të ngarkuarin me punë në Ambasadën e ShBA-së, Nicholas Giacobbe

Presidentja Vjosa Osmani ka pritur sot në takim të ngarkuarin me punë në Ambasadën e ShBA-së në Kosovë, Nicholas J. Giacobbe, me të cilin diskutuan për zhvillimet e fundit në vend pas vendimit për reciprocitet për targat me Serbinë.

Në komunikatën e Presidencës thuhet se sipas presidentes Osmani, Serbia po tenton ta destabilizojë situatën, gjë që sipas saj është në vazhdën e përpjekjeve ruso-serbe për zhbërjen e të arriturave të ShBA-së, BE-së, dhe NATO-s në Kosovë dhe rajon.

Tutje në komunikatë theksohet që, në këtë kontekst, presidentja Osmani ka thënë se vendimi i institucioneve të Kosovës për zbatimin e reciprocitetit me targa është i ligjshëm. Ajo vuri theksin te fakti se zbatimi i kësaj mase nga institucionet tona është në përputhje të plotë me Marrëveshjen e dakorduar në Bruksel, por e cila nuk është zbatuar nga ana e Serbisë.

Po ashtu, presidentja Osmani e ka bërë të qartë që Kosova në asnjë moment nuk ka qëllim të eskalojë situatën. Në veçanti, ajo potencoi se përkushtimi kryesor i institucioneve të vendit është mirëmbajtja e rendit dhe ligjit si dhe mbrojtja e secilit qytetarë në Republikën tonë.

Duke folur për procesin e dialogut, presidentja Osmani konfirmoi se Kosova mbetet e përkushtuar për vazhdimin e tij dhe ritheksoi rëndësinë e trajtimit të barabartë të palëve të përfshira në të.

Ndërsa, Giacobbe potencoi se për ShBA-në, sovraniteti i Republikës së Kosovës është i pacenueshëm, duke shtuar se dialogu është mënyra e duhur për të vazhduar tutje, potencohet tutje në komunikatë.